Art Jetese

Zakonet e pashëndetshme që i bëjnë dëm trurit tuaj

Truri është një “makineri” e përbërë nga 86 miliardë neurone të cilat kontrollojnë gjithçka që bëjmë nga frymëmarrja deri tek aktivitetet e tjera më komplekse.

Në mënyrë që të kujdesemi për të, duhet të kultivojmë zakone të shëndetshme të cilat nuk janë të dëmshme për sistemin nervor.

Konsumi i lartë i sheqerit

Të gjithë e dinë se kur konsumojmë shumë sheqer, niveli i glukozës në gjak rritet. Glukoza e lartë në gjak zvogëlon prodhimin e një substance të quajtur BDNF, e cila është e domosdoshme për të ruajtur kujtime dhe për të mësuar gjëra të reja.

Mundohuni të minimizoni sasinë e përditshme të sheqerit duke hequr pijet me gaz dhe duke i zëvendësuar me ujë. Gjithashtu hani më shumë fruta dhe lexoni etiketat ushqimore. Zgjidhni produkte me pak sheqer dhe natrium, shkruan Living.

Kaloni shumë kohë para ekranit

Studimet kanë treguar se shëndeti mendor i njerëzve u përkeqësua pas nisjes së pandemisë, pasi njerëzit filluan të punojnë nga shtëpia përpara ekranit të latopit apo telefonit. Studimet në Universitetin e Miçiganit zbuluan gjithashtu se një bisedë 10-minutëshe ballë për ballë përmirëson funksionet e trurit.

Qëndrimi përpara ekraneve gjatë gjithë ditës mund të dëmtojë kyçet, shpinën, sytë, qafën dhe veshët. Vendosini vetes orare të caktuara për të ulur kohëzgjatjen e qëndrimit përpara ekraneve.

Mungesa e gjumit

Gjumi është jetik që trupi juaj të funksionojë siç duhet dhe pagjumësia mund të shkaktojë probleme në mënyrën sesi trupi transmeton dhe përpunon informacionet. Mungesa e gjumit e bën trurin të paaftë për të kryer funksionet e tij në mënyrë efektive.

Ngrënia e tepruar

Ngrënia e tepruar mendohet se çon në pasoja afatgjata shëndetësore për trurin si obeziteti, sëmundjet e zemrës, diabeti, presioni i lartë të gjakut, të cilat të gjitha lidhen me sëmundjet e trurit si Alzheimer.

Mungesa e aktivitetit fizik

Qëndrimi fizikisht joaktiv për një periudhë të gjatë shkakton ndryshime në tru dhe rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës. John Ratey thotë: “Ushtrimi fizik është në të vërtetë për trurin, jo trupin. Ai ndikon në jetëgjatësi, vigjilencë dhe  mirëqenie.”

Informacioni i vazhdueshëm

Sipas Bryan Davis, informacioni i tepërt e bën trurin tuaj të mbingarkohet. Pra, nëse vazhdimisht e vendosim veten në një gjendje ku marrim më shumë informacion sesa mund të përballojmë, kjo mund të dëmtojë trurin tonë duke e ngarkuar me informacione të parëndësishme.

/Shqip.com