Xavi e rikthen gëzimin në “Camp Nou”

Xavi Hernandez u rikthye te Barcelona, e së bashku me të u rikthye fitorja dhe formacioni 4-3-3.
Katalunasit kanë shënuar fitore 1-0 ndaj Espanyol-it, duke e nisur me këmbë të mbarë periudhën me trajnerin e ri.
Në këtë takim që u zhvillua në “Camp Nou”, blaugranët ishin dukshëm më të mirë që nga fillimi i takimit.
Një element qe kishte munguar që një kohë te Barca dhe u rikthye sonte, ishte loja e shpejtë dhe posedimi i topit.
Përkundër rasteve të shumta të shënimit, në pjesën e parë nuk u pa asnjë gol.
Ndërsa, kur po zhvillohej minuta e 48-të, ishte Memphis Depay që realizoi golin që doli të jetë i vetmi në tërë ndeshjen.
Në anën tjetër, mysafirët patën disa raste të mira shënimi në këtë pjesë, por nuk ishin konkret para portës.
Me këtë fitore, Barcelona ngritet në pozitën e gjashtë në La Liga, kurse Espanyoli zbret në vendin e 11-të.
Një element tjetër pozitiv në këtë takim për Barcelonën, ishte fakti që kishte 74 mijë tifozë në “Camp Nou”, gjë që ka kohë që nuk ka ndodhur. /Shqip.com