Burgosja e tij ishte goditje strategjike ndaj opozitës! A do ta “shpëtonte” Ervin Salianji PD-në nga “gremina” në Elbasan? Dhe mundësia e humbur për Tomor Alizotin…

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 rezultuan disfatë e thellë për Partinë Demokratike. Në Qarkun e Elbasanit arriti të siguronte vetëm 4 mandate, duke humbur terren ndjeshëm krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 kur kishte siguruar 6 deputetë. Përballë një maxhorance që doli sërish fituese me 10 mandate, pyetja që shtrohet është: A do të kishte një rezultat më të mirë PD në këtë qark, nëse drejtimin politik nuk do ta kishte pasur Tomor Alizoti, por Ervin Salianji?
Në retrospektivë, është e vështirë të anashkalohet fakti se Ervin Salianji përfaqëson një nga figurat më energjike dhe më të artikuluara të opozitës së viteve të fundit. Në vitin 2021, ai arriti të sigurojë mbi 9 mijë vota personale në Qarkun e Korçës, duke u pozicionuar si një ndër kandidatët më të votuar të PD në rang kombëtar. Përballë një elektorati të zhgënjyer dhe një opozite të fragmentuar, Salianji mbeti një zë i fortë denoncues, i aftë për të mobilizuar mbështetës dhe kthyer atë në sinergji politike — dy elementë thelbësorë që munguan në fushatën e PD në Elbasan këtë vit.
Arrestimi i Salianjit në shtator 2024, disa muaj para zgjedhjeve, nuk ishte vetëm një goditje personale ndaj tij, por edhe një “sulm” strategjik për opozitën, që humbi një zë karizmatik në një moment kur kishte nevojë urgjente për lidership aktiv, sidomos në terren. Ndryshe nga Tomor Alizoti, i cili nuk njihet për angazhime intensive dhe i mungon lidhja e drejtpërdrejtë me bazën, sidomos në Elbasan, Salianji ka treguar më parë se di të krijojë kontakt të fortë me qytetarët dhe të përballet haptazi me pushtetin. Ervin Salianji është i vetmi politikan deri më sot që ka denoncuar parcelat me kanabis duke i shkelur vetë me këmbë, në zona të ndryshme të vendit, gjë të cilën nuk guxonte ta bënte as vetë Policia e Shtetit. Për më tepër, profili i tij i lartë publik dhe aftësia për të qenë i pranishëm në debatin mediatik apo edhe në trendet e reja të komunikimit siç janë rrjetet sociale, do ta kishin bërë atë një aktivizues të fortë elektoral në një qark ku opozita kishte nevojë urgjente për rimëkëmbje.
Ndërsa Tomor Alizoti në Elbasan shkoi në një realitet të panjohur për të dhe muajt që iu lanë në dispozicion nuk e konfiguruan dot atë si njeriun e duhur për të drejtuar fushatën elektorale të demokratëve në atë qark të vështirë dhe me rryma të ndryshme influencash, përfshirë edhe ato të krimit të organizuar. Afërmendsh kjo ishte një fushatë e dështuar për Tomor Alizotin i cili u mbajt mend vetëm për deklaratën emocionale në Librazhd, kur tha se do t’i hante të gjallë patronazhistët. Pra, një kompleks rrethanash i sollën PD-së në Qarkun e Elbasanit po aq deputetë sa në vitin 2013 dhe 2017, dy vitet elektorale më të dobëta të demokratëve me kryetar respektivisht Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.
Por, në 11 maj, goditjet PD-ja i mori edhe nga vetja si rrjedhojë e vendimeve përjashtuese të lidershipit të saj duke lënë jashtë listave faktorët elektoralë të Qarkut të Elbasanit si Dashnor Sula, Zheni Gjergji apo edhe Lefter Gështenja. Opozita pësoi humbje shkatërruese nga Peqini në Gramsh, Belsh dhe Librazhd e Prrenjas në shifra që arrinin deri në 70% për PS-në dhe 25-27% PD-ja. E thellë është disfata edhe në qytetin e Elbasanit e zonat përreth. Kjo është tragjedi për forcën politike që konsiderohet alternativë për të qeverisur vendin, PD-në, që mban “firmën” dhe kontributin e saj te disa nga momentet historike të progresit euroatlantik të vendit si anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave e kërkesa për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE, në vitin 2013. Sot e katandisur në një parti politike që rrezikon të përfundojë në forcë e tretë në zgjedhjet e ardhshme po qe se nuk ka reflektim dhe ndryshim të lidershipit.
Nëse Ervin Salianji do të ishte drejtues politik në Qarkun e Elbasanit e sigurt është se vendimmarrja e PD nuk do të kishte për qëllim të dëmtonte veten, siç edhe ndodhi realisht.
Megjithatë, kjo nuk është thjesht një analizë e një emri në listë, por një reflektim mbi kalkulimet që shpesh i kanë kushtuar opozitës shtrenjtë. Zëvendësimi i figurave të votuara, energjike dhe të lidhura me elektoratin me emra të tjerë më pak konkurrues në terren, shpesh për arsye klienteliste dhe që nuk lidhen me objektivat partiake, është kthyer në modelin që prodhon humbje dhe vetëm humbje.
Në këtë kontekst, Elbasani përfaqëson jo vetëm një dështim elektoral për PD-në, por edhe një mundësi të humbur për të sjellë një profil të ri drejtimi përmes të dërguarit politik rishtasi, Tomor Alizotit. Me shumë gjasë, prania e Ervin Salianjit në krye të listës do të kishte gjeneruar një rezultat më të mirë në vota për PD-në, duke i mundësuar të ruante të paktën 2 mandate më shumë në këtë qark strategjik.
Më shumë se gjithçka tjetër, kjo analizë ngre pyetjen e qartë: Sa mandate i ka humbur Partia Demokratike në 12 qarqet e vendit për shkak të vendimmarrjes okulte dhe drejtuesve politikë që nuk ngjallin shpresë?
/Shqip.com