Lajme

Vushtrri: Arrestohet 67-vjeçari për zjarrvënie

Djegia e hamulloreve

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një person në fshatin Gojbulë e Vushtrrisë, pasi i njëjti dyshohet se ka ndezur zjarr në hamulloren e arës së tij, përcjell Shqip.com.

Sipas njoftimit, i dyshuari është Z.., 67-vjeçar, për të cilin prokurori ka urdhëruar që të intervistohet.

Ndaj tij është iniciuar rasti “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Në vendin e ngjarjes kanë dal njësia e  hetimeve dhe  zjarrfikësit të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin”, thuhet në njoftimin për media.

Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të martën u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe “në asnjë rast dhe rrethanë të mos ndezin zjarre”, përndryshe siç ka thënë ai, do të jenë të pa-kompromis.

Ndërsa, Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ditëve të fundit kanë ndodhur shumë zjarre në vende të ndryshme, në veri të Kosovës dhe të gjitha janë lokalizuar dhe vënë nën kontroll. Policia ka apeluar te qytetarët të mos ndezin zjarre, pasi që kjo paraqet vepër penale./SHQIP.com