Lajme Ballkan

Vulin: Vuçiq kurrë nuk e ka përmendur luftën si zgjidhje për problemet me Prishtinën

Aleksander Vulin, miistër i Punëve të Brendshme në Serbi.

Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin ka reaguar ndaj thirrjes së BE-së për ndalimin e retorikës nxitëse për luftë.

Ai ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq asnjëherë nuk e ka përmendur luftën si zgjidhje për problemet me Kosovën.

“Aleksandar Vuçiq kurrë nuk ka përmendur luftën si mjet për zgjidhjen e problemeve me Prishtinën, por Albin Kurti e ka bërë. Prandaj është e habitshme që Shërbimi Evropian i Punëve të Jashtme (EEAS) kërkon nga të dyja palët të përmbahen. Beogradi i përgjigjet çmendurisë së Prishtinës dhe nuk fillon asnjë konflikt e as diskutim, e si atëherë të përmbahet.

Po të kishte vetëdije në BE, pak më tepër se në Prishtinë, nuk do të kërkohej nga Beogradi që të mos përgjigjet, por do ta frenonte Prishtinën që të mos iniciojë konflikt. Kushdo që lejon Prishtinën të kërcënojë me luftë, është përgjegjës nëse Kurti i përmbush kërcënimet e tij. Duhen dy për paqe, për konflikt, mjafton një budalla”, thuhet në reagimin e tij, raporton B92.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë që të ndalin menjëherë retorikat nxitëse.

Nga BE-ja është thënë se politikanët e të dyja palëve do të mbahen përgjegjës në rast të përshkallëzimit të tensioneve.

“Rritja e retorikës nxitëse së fundi mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht deklaratat për luftë dhe konflikt në Ballkan Perëndimor janë mjaft shqetësuese. Politikanë të lartë të dyja palëve do të mbahen përgjegjës për çdo përshkallëzim që çon në rritjen e tensioneve dhe potencialisht dhunë në rajon. Të dyja palët duhet t’i ndalin menjëherë armiqësitë e ndërsjella dhe deklaratat e rrezikshme dhe të veprojnë me përgjegjësi”, thuhet në komunikatë të BE-së.

Lexo edhe:
BE-ja fton Kosovën dhe Serbinë që t’i japin fund “menjëherë” retorikës nxitëse

Nga BE-ja thuhet se gjitha çështjet duhet të diskutohen në dialog, ndërsa ka thënë se pret që të gjitha marrëveshjet e kaluara të implementohen plotësisht.

Nga Bashkimi Evropian është shtuar se është në koordinim të ngushtë me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-në./Shqip.com