Lajme Ballkan

Bërnabiq i reagon BE-së: Ndaloni hipokrizinë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka reaguar ndaj thirrjeve që janë bërë të dielën nga Bashkimi Evropian që të përmbahen Kosova e Serbia nga “retorikat nxitëse” për luftë.

Bërnabiq këtë deklaratë të BE-së e ka quajtur hipokrizi.

“Duke parë deklaratën e EEAS-së, dikush do të mendonte se sot është 1 prill e jo 14 gushti. Plot 175 ditë Albin Kurti provokon konflikt të armatosur me serbët. Dhe atë në një vit që do të mbahet në mend si viti në të cilin Kurti po atyre serbëve në Kosovë e M. ua privoi të drejtat themelore njerëzore – duke i ndaluar të votojnë. Përveç një deklarate të kotë me shkrim, BE-ja nuk bëri absolutisht asgjë për këtë. Në anë tjetër, motoja e presidentit Vuçiq dhe Serbisë është e qartë: paqe dhe stabilitet.

Po afrohet dhjetëvjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, të cilin BE-ja thjeshtë nuk mund ta zbatojë. Edhe vet BE-ja e pranon se nuk mund ta detyrojë Kurtin ta themelojë Asociacionin – shtyllë kurrizore e Marrëveshjes së Brukselit. Është e trishtueshme të shohësh BE-në që nuk e sheh fajin e vetë për pozitën ku jemi sot. Nëse BE-ja do të kishte bërë pjesën e saj – të siguronte zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe të garantonte të drejtat themelore njerëzore për serbët në Kosovë e M., gjërat do të dukeshin sot shumë më ndryshe. Prandaj, ju lutem ndaloni hipokrizinë”, tha Bërnabiq, raporton B92.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë që të ndalin menjëherë retorikat nxitëse.

Nga BE-ja është thënë se politikanët e të dyja palëve do të mbahen përgjegjës në rast të përshkallëzimit të tensioneve.

Lexo edhe:
BE-ja fton Kosovën dhe Serbinë që t’i japin fund “menjëherë” retorikës nxitëse

“Rritja e retorikës nxitëse së fundi mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht deklaratat për luftë dhe konflikt në Ballkan Perëndimor janë mjaft shqetësuese. Politikanë të lartë të dyja palëve do të mbahen përgjegjës për çdo përshkallëzim që çon në rritjen e tensioneve dhe potencialisht dhunë në rajon. Të dyja palët duhet t’i ndalin menjëherë armiqësitë e ndërsjella dhe deklaratat e rrezikshme dhe të veprojnë me përgjegjësi”, thuhet në komunikatë të BE-së.

Nga BE-ja thuhet se gjitha çështjet duhet të diskutohen në dialog, ndërsa ka thënë se pret që të gjitha marrëveshjet e kaluara të implementohen plotësisht.

Nga Bashkimi Evropian është shtuar se është në koordinim të ngushtë me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-në./Shqip.com