Lajme Ballkan

Vuçiq: Nuk do të ketë njohje të Kosovës

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot në fillim të bisedimeve me negociatorët e BE-së në Beograd se nuk do të ketë njohje të Kosovës.

Këto deklarata i bërë para takimit me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe me këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Gjermanisë, Jens Plotner dhe të Francës, Emmanuel Bonne.

“Nuk do të ketë diskutim për të ardhmen e Serbisë dhe nuk do të ketë njohje të Kosovës! Aktualisht po flas me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe me këshilltarët për politikë të jashtme dhe të sigurisë të Republikës së Francës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, Emanuel Bonn dhe Jens Pletner, gjithmonë të gatshëm për zgjidhje kompromisi, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Jo dorëzim! Rroftë Serbia, ka shkruar Vuçiq në llogarinë në Instagram” raporton Tanjug.

Foto nga takimi

Ndryshe Lajçak bashkë me këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Gjermanisë, Jens Plotner dhe të Francës, Emmanuel Bonne u priten në takim nga Kurti gjatë vizitës së tyre në Kosovë.

Lexo edhe:
Lajçak: Biseduam më shumë se dy orë me Kurtin, ishte takim i rëndësishëm për dialogun

“S’mund të flas më shumë detaje sepse pasdite do të kemi takimin me presidentin Vuçiq, pra ne kemi përfunduar pjesën e parë të misionit në Prishtinë”, tha ai.

Ndërsa Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.

Lexo edhe:
Kurti pas takimit me Lajçak: Njohja reciproke të jetë në qendër të dialogut

Ndryshe, Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, qëndruan në Kosovë dhe Serbi edhe në fund të gushtit.

Pas angazhimeve të tyre diplomatike, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, përkatësisht për heqjen e dokumenteve hyrëse/dalëse nga të dyja anët./Shqip.com