Lajme

Kurti pas takimit me Lajçak: Njohja reciproke të jetë në qendër të dialogut

Pamje nga takimi i Qeverisë

Kryeminstri, Albin Kurti ka pritur në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne.

Siç njofton Qeveria në një komunikatë për media në takim u theksua se Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.

Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.

Tutje thuhet se Kurti falënderoi Lajčák, si dhe këshilltarët Plotner dhe Bonne, për angazhimin e tyre për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor .

Ndërsa Lajçak ka folur shumë shkurtë para mediave pas takimit që kishte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka thënë se kanë biseduar me Kurtin më shumë se dy orë rreth dialogut dhe ishte diskutim shume i rëndësishëm.

“Diskutuam më shumë se dy orë me kryeministrin Albin Kurti rreth dialogut dhe si të sjellën dinamika të reja dhe të lëvizet përpara me procesin. Ishte një diskutim i thellë dhe i rëndësishëm”, tha ai.

Ai tha se nuk mund të jap detaje me tepër, pasi pasdite do të shkojë në Beogradë.

Lexo edhe:
Lajçak: Biseduam më shumë se dy orë me Kurtin, ishte takim i rëndësishëm për dialogun

“S’mund të flas më shumë detaje sepse pasdite do të kemi takimin me presidentin Vuçiq, pra ne kemi përfunduar pjesën e parë të misionit në Prishtinë”, tha ai.

Takimi vije pas propozimit në letrën e përbashkët të Kancelarit Scholz dhe Presidentit Macron, drejtuar Kryeministrit Kurti, që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajçak, në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi i dialogut të lëvizë përpara shpejt./SHQIP.com