Lajme Ballkan

Vuçiq: Erdha t’u them qytetarëve se çfarë na pret, do të ketë kohë për konkluzione dhe vendime

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se sot ka ardhur në Kuvend për t’u treguar qytetarëve se çfarë i pret serbët si komb dhe me çfarë po përballet Serbia.

Në fillim të seancës së posaçme të Kuvendit Popullor kushtuar Kosovës, Vuçiq tha se qëllimi i takimit të sotëm nuk është bartja e përgjegjësisë te parlamenti apo te populli në tërësi.

“Unë kurrë nuk i jam shmangur përgjegjësisë si president. Kam marrë vendimet më të vështira. Përveç një rasti, më duket se ato ishin në interesin më të mirë të popullit serb dhe qytetarëve të Serbisë. Qëllimi i sotëm është që të dalim para jush dhe qytetarëve të Serbisë si përfaqësues i të gjithë qytetarëve tanë dhe të ndajmë me ndershmëri, hapur dhe në mënyrën më të ndershme atë që na pret ne si komb, atë që po përballemi”, theksoi ai.

Vuçiq tha se dëshiron të jetë i përgjegjshëm dhe i respektueshëm ndaj qytetarëve, në mënyrë që ata ta dinë se qeveria, presidenti dhe Kuvendi nuk kanë asgjë për t’u fshehur.

“Do të ketë kohë për konkluzione dhe vendime, por është e rëndësishme që njerëzit ta dinë se me çfarë po përballemi”, ka theksuar më tutje Vuçiq.

Vuçq deklaroi se ka shumë pyetje për Kosovën, të cilat zgjasin më shumë se 600 vjet dhe përgjigjet janë të pakta.

/Shqip.com