Lajme

Vrasja në Gllogjan, Prokurorja: Janë intervistuar shumë persona, ka pasur edhe bastisje

Autobusi që u sulmua në Gllogjan

Shumë persona janë intervistuar dhe janë kryer disa bastisje lidhur me vrasjen e rëndë që ka ndodhur të premten mbrëma në Gllogjan të Deçanit, ku kanë mbetur të vdekur shoferi i autobusit dhe dy nxënës, ndërsa një tjetër i plagosur.

Kështu ka bërë të ditur Prokurorja e këtij rasti, Sahide Gashi, në një deklarim për media, por nuk ka treguar numrin e personave të intervistuar.

Ajo ka bërë të ditur se në orët e para të mëngjesit të së shtunës është kryer edhe një bastisje në Gllogjan, por që nuk është gjetur asgjë e dyshimtë ose ndonjë provë në drejtim të identifikimit të të dyshuarit.

Sipas prokurores, gjatë sulmit dyshimet janë që është përdorur një kallashnikov dhe është zbrazur pothuajse një karikator.

“Këto informata janë deri tani, por hetuesit janë në teren edhe forenzika dhe janë duke bërë ekzaminim e çdo pëllëmbe të vendit të ngjarjes”, ka thënë Gashi.

Image
Prokurorja Sahide Gashi

Mbrëmjen e së premtes në fshatin Gllogjan të Deçanit, një person ka shtënë me armë zjarri drejt një autobusi, ku kanë mbetur të vdekur tre persona, kurse një tjetër është plagosur.

Gjendja shëndetësore e nxënësit i cili mbet i plagosur është stabile. I njëjti është operuar gjatë natës në Spitalin e Pejës, ku i është larguar një plumb nga trupi.

Sipas Policisë së Kosovës, dyshohet që vrasja është kryer me kallashnikov “AK-47”, teksa rasti është duke u hetuar si “vrasje e rëndë”.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që nëse kanë ndonjë informacion rreth këtij rasti të bashkëpunojnë me institucionet relevante./SHQIP.com