Lajme

Vrasja e 30-vjeçarit në Ferizaj, flet Kryeprokurori Shukri Jashari

Kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari

Mbrëmë pas mesnatës në Ferizaj një person i moshës 30 vjeçare ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari ka treguar për Shqip.com se ngjarja është zhvilluar para një marketi dhe se afër tij ishte një patrullë e policisë.

“I dyshuari afrohet tek marketi dhe gjuan në drejtim të viktimës, i cili ka qenë brenda marketit. Në atë moment zyrtari policor në rroba civile, i cili ishte duke kryer një ndalim tjetër dhe ka rastisur në ato momente ka filluar ndjekjen e të dyshuarit duke i thënë me fjalë “ndal policia” dhe i është prezantuar si policë, mirëpo ka qenë i rrezikuar dhe është detyruar të shtënë me armë zjarri”, ka thënë Jashari.

Jashari ka njoftuar se kanë filluar hetime ndaj të dyshuarit për vrasje dhe ndaj zyrtarit policor.

“Ndaj zyrtarit policor janë duke u zhvilluar hetime nga Inspektori Policor i Kosovës. Prokuroria aktualisht është duke e përgatitur kërkesën për masën e paraburgimit”, ka thënë ai.

Jashari ka deklaruar se motivi i vrasjes ende nuk dihet, pasi që personi, i cili ishte duke shoqëruar viktimen është arratisur nga vendi i ngjarjes.

“Deri sa të sigurohet prezenca e tij dhe të merret deklarata, nuk dihet motivi i vrasjes”, ka shtuar Kryeprokurori Jashari.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Rexhep Bislimi” menjëherë pas mesnatës.

Lexo edhe:
Të shtëna me armë zjarri në Ferizaj, vdes një person

Sipas PK-së si provë materiale nga vendi i ngjarjes është konfiskuar dy armë zjarri ( pistoleta) dhe shtatë gëzhoja./Shqip.com