Lajme

Vizita e Edi Ramës në Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë dhe i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të bëjë pritje me ceremoni shtetërore për homologun e tij nga Shqipëria Edi Rama.

Zyra e kryeministrit ka njoftuar se pritja për Ramën fillon në ora 08:50 me ceremoni në “Sheshin Skenderbeu”.

“Pas takimit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, mbajnë konferencë për media në ora 10:20”, thuhet në komunikatë”, thuhet në njoftimin e zyres së kryeministrit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë Edi Rama.

Agejenda e Kryeministrit shqiptar gjatë vizitës në Kosovë

08:50 – Pritje ceremoniale nga Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, në oborrin e Kryeministrisë.

09:00 – Takim dypalësh me Albin Kurti, kryeministër i Republikës së Kosovës. Në përfundim të takimit, do të mbahet konferencë e përbashkët për shtyp

10:45 – Takim me Memli Krasniqi, kryetar i PDK –së (Selia e PDK-së)

11:20 – Takim me Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK –së (Selia e LDK-së)

12:00 – Takim me Behgjet Pacolli, kryetar i AKR –së (Hotel “Swiss Diamond”, Prishtinë)

12:20 – Takim me Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate (Hoteli “Swiss Diamond”, Prishtinë)

12:45 – Takim me Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së (Selia e AAK-së)

13:30 – Drekë zyrtare me pjesëmarrjen e dy delegacioneve dhe prof. Rexhep Qosja (Vendi: Amazona Resort, Milloshevë) Përpara drekës do të mbahet një ceremoni e shkurtër për dekorimin e Rexhep Qoses, ku kryeministri Rama i dorëzon medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes”, me rastin e 85-vjetorit të lindjes së tij.

15:40 – Bisedë me një grup studentësh të marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës (Salla 014 në Fakultetin Filozofik, Universiteti i Prishtinës).

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kjo vizitë e Edi Ramës vjen në kohën kur në veri është një situatë e tensionuar dhe Prishtina e Tirana kanë divergjenca për sa i përket iniciativës “Ballkani i Hapur”.

Rama gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, të shtunën – refuzoi t’i cilësojë marrëdhëniet me Kosovën “në nivelin më të ulët të mundshëm”, sipas tij raportet Tiranë – Prishtinë janë në një “gjendje normale”.

“Natyrisht që marrëdhënia mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe asnjëherë nuk është mjaft të thuhet që është e mirë, pasi mund të jetë gjithmonë më e mirë”, ka thënë Rama.

Aty Rama, kishte thënë se “Kosova po merret me teori konspirative sa i përket nismave rajonale”.

Lexo edhe:
Rreth 500 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dy dozat

“Nuk e di për çfarë konspiracionesh e ka fjalën Rama”, ishte kundërpërgjigja e Kurtit.

Por, ky i fundit vendosi ta urojë Ramën për fillimin e punës në krye të ekzekutivit për herën e tretë.

Përmes letrës, Rama ishte ftuar që ta vizitojë Kosovën. Ftesë e pranuar.

Dy ditë para kësaj vizite, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, i ka kërkuar Serbisë të largojë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën.

Megjithatë, bashkë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, Shqipëria vendosi t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”.

Edhe të hënën pritet që të ketë diskutim mbi këtë nismë rajonale, pasi Rama të shtunën theksoi se “divergjencat me Kosovën janë një mundësi më shumë për diskutim”. /Shqip.com