Lajme

Vëllai i Astrit Ademajt dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes – Prokuroria jep detaje

Foto nga vendi ku ndodhi vrasja e dyfishtë në Pejë

Avni Ademaj, vëllau i Astrit Ademaj, i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e së mërkurës në Pejë, po dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes dhe i njëjti do të dalë para gjykatës.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelorë në Pejë, Shkodran Nikçi, në një prononcim për Shqip.com tha se në vendin ku ka ndodhur vrasja janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri dhe disa gëzhoja.

“Njëri nga të plagosurit është ndaluar, kurse prokuroria ka caktuar masën e paraburgimit për 48 orë. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes. I njëjti nesër do të dalë para gjykatës. Po bëhen hetime intensive, janë sekuestruar dy armë, po ashtu gëzhojat që janë gjetur në vendin e ngjarjes”, deklaroi Nikçi.

Lexo edhe:
Nesër varroset Astrit Ademaj që u vra mbrëmë në Pejë

Ndërsa, shtoi se kanë intervistuar edhe persona tjerë lidhur me rastin.

Ngjarja tragjike ka ndodhur ditën e mërkurë, rreth orës 20:00, në afërsi të një lokali të shkolla Ekonomike “Ali Hadri” në Pejë”. 

Përveç Astrit Ademajt, i cili ishte kandidat për kryetar të Pejës nga Partia Demokratike e Kosovës për zgjedhjet e 17 tetorit, i vrarë ka mbetur edhe Blerand Kadrijaj, ish-kandidat i kësaj partie për kryetar të Deçanit./SHQIP.com