Lajme

Vdiq mjeku që ishte në autoambulancën e aksidentuar në Gjakovë

Pamje nga aksidenti në Gjakovë

Ka vdekur mjeku i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, Mentor Salihi, i cili kishte qenë në autoambulancën që u aksidentua ditë më parë në Gjakovë.

Përveç Salihit, ditë më parë ka ndërruar jetë edhe vozitësi i autoambulancës Skofiar Gjini.

Doktor, Mentor Salihi

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe kolegëve të Salihit dhe Gjinit.

“Ata do të kujtohen si profesionistë që i shërbyen me përkushtim jetës së qytetarëve deri në momentin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta”, thuhet në mesazhin e Latifit.

Po ashtu, edhe nga Oda e Mjekëve të Kosovës ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Salihit.

“Detyra e mjekut si shpëtimtar jete, bëri që Dr. Salihi të ishte në autoambulancën që u aksidentua ditë më parë në Gjakovë. Oda e Mjekëve të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij”, thuhet në mesazh.

Lexo edhe:
Aksidentohet autoambulanca me një veturë në Gjakovë, katër të lënduarit i dërgojnë në QKUK

Aksidenti kishte ndodhur më 30 qershor në lagjen Dardania (Piskotë), mes autoambulancës dhe një veture te tipit Golf.

Në mjetin e autoambulancës kanë qenë vozitësi Skofiar Gjini, doktori Mentor Salihu, infermieri Faton Brahimaj dhe pacienti Zef Dula./Shqip.com

Lexo edhe:
Autoambulanca përfshihet në aksident në Gjakovë, vdes një pacient që po transportohej