Lajme

Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK-së

Dy ish-krerët e OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, do të vazhdojë të hënën në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Koordinatorja e Hetimit në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Zenka Pumper, është dëshmitarja e parë e këtij rasti e cila është dëgjuar për katër ditë gjatë javës së kaluar.

Në seancën e fundit, kryetari i trupit gjykues, Charles L. Smith, ka lëshuar urdhër me gojë ku ka njoftuar se trupi gjykues do të marrë vendim për provat materiale të paraqitura nga dëshmitarja në fund të dëshmisë së saj.

Dëshmia e Pumper nuk ka përfunduar dhe gjykimi do të vazhdojë të hënën, më 25 tetor.

Zenka Pumper, koordinatorja e hetimit në Dhomat e Specializuara

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj akuzohen për pengim të punës së Dhomave të Specializuara, frikësim dhe hakmarrje ndaj dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurave.

Lexo edhe:
Trupi gjykues do të marrë vendim për provat materiale të dëshmitares në rastin e Gucatit dhe Haradinajt

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë./SHQIP.com