Lajme

Trupi gjykues do të marrë vendim për provat materiale të dëshmitares në rastin e Gucatit dhe Haradinajt

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith

Për të katërtën ditë me radhë, të enjten ka vazhduar dëshmia e Koordinatores së Hetimit në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Zenka Pumper, gjatë gjykimit të ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, njofton Shqip.com.

Derisa Pumper i është përgjigjur pyetjeve të avokatit të Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees, kryetari i trupit gjykues, Charles L. Smith, ka lëshuar urdhër me gojë ku ka njoftuar se trupi gjykues do të marrë vendim për provat materiale të paraqitura nga dëshmitarja në fund të dëshmisë së saj.

Zenka Pumper, koordinatorja e hetimit në Dhomat e Specializuara

“Sa i takon paraqitjes së provave siç jeni në dijeni trupi gjykues ka shtyrë marrjen e vendimit për një sërë provash materiale të paraqitura nga Zenka Pumper deri në përfundim të dëshmisë së saj. Kur të vijë momenti i atij diskutimi nga prokuroria pritet të lexohet një përmbledhje koncize të deklaratave të dëshmitares për proces verbalin, në seancë të hapur”, tha ai.

Kryetari i trupit gjykues deklaroi se pritet nga prokuroria që të informojë se çfarë klasifikimi propozon për secilën provë materiale.

Nëse provat propozohen që të jenë konfidenciale, Smith njoftoi se ZPS-ja duhet të bëjë të ditur nëse mund të vendosë në dispozicion një version publik të redaktuar.

Lidhur me klasifikimin e provave do të merret edhe qëndrimi i mbrojtjes.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj akuzohen për pengim të punës së Dhomave të Specializuara, frikësim dhe hakmarrje ndaj dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurave. /Shqip.com