Ekonomi Rreth 300 milionë euro të hyra në vit nga importi i naftës. Propozohet subvencionimi disamujor vetëm i bujqve dhe kompanive që bëjnë prodhimin e produkteve ushqimore bazë.

Ulja e akcizës dhe TVSH-së për naftën ul direkt buxhetin e shtetit

Ilustrim
Ilustrim

Ulja e akcizës dhe TVSH-së për naftën dhe derivatet e saj po shihet si zgjidhje vetëm afatshkurtër.

Kjo, për shkak se akciza dhe TVSH-ja e naftës janë ndër burimet kryesore të mbushjes së arkës së shtetit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se kjo mund të bëhet vetëm për një periudhë njëmujore.

“Mund të cilësohet si opsion i përkohshëm, por është problematike për një periudhë të gjatë, sepse buxheti i Kosovës varet nga akciza dhe TVSH-ja. Akciza e derivateve të naftës është një prej kontribuesve kryesorë në buxhet. Mund të mendohet një suspendim prej një muaji, por jo si një opsion afatgjatë, sepse kriza nuk është afatshkurtër”, thotë Rukiqi për Shqip.com.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi

Të favorshëm për naftëtarët, por të dëmshëm për shtetin e sheh këtë propozim edhe Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

“Ne e kemi vërejtur se ka ndodhur një gjë e tillë në Kroaci. Kroacia është shtet shumë më i madh se ne, me buxhet shumë më të lartë se ne, edhe kjo është ajo që kanë spekuluar kinse duhet të hiqet akciza”, ka thënë ai.

Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës

Rreth 300 milionë euro në vit mbushet arka e shtetit nga importi i naftës

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës rezulton se nga importi i naftës, të hyrat arrijnë në rreth 300 milionë euro brenda një viti.

“Kosova mesatarisht importon rreth 700 milionë litra naftë brenda një viti derisa taksat që paguhen për import të naftës janë akciza specifike prej 0.36 centë për litër të importit, si dhe TVSH-ja në lartësi prej 18 për qind në vlerën e produktit”, thuhet në përgjigjen e Doganës.

Të bëhet vetëm subvencionimi i bujqve dhe bizneseve për prodhimin e produkteve bazë

Ulja e të hyrave në buxhetin e shtetit si rezultat i uljes së akcizës do të ndikonte direkt në shkurtimet buxhetore për projektet tashmë të planifikuara për vitin 2022.

Andaj, Rukiqi thotë se zgjidhje më adekuate do të ishte subvencionimi i bujqve dhe bizneseve që bëjnë prodhimin e produkteve bazë ushqimore.

Subvencionimi i tyre, sipas Rukiqit, do të ndihmonte në ruajtjen e çmimeve aktuale të produkteve në treg.

 “Ajo që duhet të bëhet, në fakt, është të shikohet mundësia për ta subvencionuar naftën për bujqit dhe një pjesë të prodhuesve në mënyrë që të mos rriten çmimet e produkteve bazë të ushqimit. Për njësitë prodhuese ekziston normativi sa shpenzon naftë për një njësi, në bazë të saj të bëhet subvencionimi për një periudhë deri te kalimi i fazës kritike, besoj deri në muajt e verës”, vlerëson Rukiqi.

Gjatë pesë muajve të fundit, Kosova ka shënuar rritje të vazhdueshme të çmimit të naftës, si dhe të derivateve të saj.

Së fundmi, çmimi i naftës sillet në rreth 1.63 euro, ndërsa i benzinës rreth 1.58 euro.

Lexo edhe:

Kjo rritje, nuk ka përfshirë vetëm vendin, por gjithashtu edhe rajonin dhe botën.

Me qëllim të uljes së çmimeve, Lidhja Demokratike e Kosovës rekomandoi uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftë.

Ndryshe nga opozita, Qeveria propozoi kufizimin e marzhës së fitimit.

Por, deri tani nuk ka ende një vendim të plotfuqishëm./Shqip.com