Lajme

Udhëtarët ankohen për shtrejtim të biletave të autobusëve në Ferizaj, stacioni i lë fajin kompanive

Stacioni i Autobusëve në Ferizaj.

Disa prej kompanive të autobusëve në Ferizaj kanë rritur çmimet e biletave për disa linja, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi nga udhëtarët.

G.A., student në Universitetin e Prishtinës, thotë për Shqip.com se nuk mund ta përballojnë rritjen e çmimit të biletave pasi që tashmë kanë filluar procesin mësimor dhe shfrytëzojnë çdo ditë udhëtimin me autobus.

Stacioni i autobusëve në Ferizaj.

Ai thotë se rritja e çmimit në relacionin Ferizaj – Prishtinë, nga 1 euro në 1.5 euro, është e papërballueshme për ta.

“Unë si qytetar i Komunës së Ferizajt, njëkohësisht edhe student në Universitetin e Prishtinës nuk e kam pritur mirë vendimin për shtrejtimin e biletav te autobusave. Arsyeja është se pasi që me fillimin e ligjëratave dhe provimeve na bie të udhëtojmë shpesh dhe jo të gjithë mund ta përballojmë këtë kjo gjë na e rëndon gjendjen ekonomike”, tha ai.

Ndërkaq, drejtoresha e Stacionit të Autobusëve në Ferizaj, Albulenë Çalaj, për Shqip.com ka deklaruar se kompanitë private mund të vendosin vetë për çmimet e biletave.

Sipas saj, ata nuk janë përgjegjës për këtë dhe se nuk janë njoftuar lidhur me rritjen e çmimit të biletave.

Por, ajo thotë se rritja e çmimit të derivateve mund të ketë ndikuar në ndryshimin e çmimit të biletave, teksa shton se Stacioni nuk ka ngritur ende çmimet për peronizim.

Lexo edhe:
Dënohet NP “Stacioni i Autobusëve” në Ferizaj, u gjetën parregullsi në një konkurs pune

“Kompanitë private vendosin vetë për çmimet. Në stacion paguhet vetëm peronizimi, e që ne nuk kemi ngritur ende çmimin për peron. Ne nuk jemi përgjegjes për këtë ngritje dhe nuk na kanë njoftuar kompanitë, pasi që është tregu i lirë. Me siguri ngritja e derivateve i ka shtyrë ata që ta ndryshojnë çmimin e biletave. Po, ata janë kompani private. Te ne shërbehen vetem me peronizim dhe paguajnë vetem peronin”, tha ajo.

Kurse, njëra nga kompanitë e autobusëve në Ferizaj në një postim në Facebook ka njoftuar udhëtarët se nga e hëna kanë rritur çmimet e autobusëve për shkak të rritjes së çmimit të derivateve./SHQIP.com