Dënohet NP “Stacioni i Autobusëve” në Ferizaj, u gjetën parregullsi në një konkurs pune
Ndërmarrja Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” në Ferizaj është dënuar me 500 euro gjobë për shkak të parregullsive të një konkursi të shpallur në muajin korrik të këtij viti për dy pozita; “Asistent i Zyrtarit të Lartë Financiar” dhe “Biletar/e – Spiker/e” dhe gjithashtu është kthyer konkursi prapa.
Inspektorati i Punës në vendimin e lëshuar më 29 shtator ka gjetur shkelje të Procedurën e Konkursit të Sektorit Publik e që rregullohet edhe përmes udhëzimit administrativ për konkurset publike.
Po ashtu, në dokument thuhet se konkursi publik duhet të jetë i hapur për 15 ditë, diçka që nuk ka ndodhur në rastin e konkursit në fjalë.
Konkursi sipas arsyetimit të Inspektoratit të Punës nuk është njoftuar as përmes mjeteve të informimit, ashtu siç parashihet me udhëzim administrativ për konkurset publike.
Kështu, në bazë të vendimit – konkursi duhet të rihapet sërish për shkak të parregullsive të evidentuara.


Parregullsitë u kuptuan kur një aplikante në konkurs, Meritë Krosa-Sadiku, u ankua në Inspektorin e Punës për siç pretendonte ajo “shkelje të procedurave të konkursit” dhe “privilegjeve të personave të lidhur me parti politike”.
Siç shihet nga konkursi i publikuar nga Stacioni i Autobusëve më 13 korrik, kriteri bazë është shkolla e mesme, ndërsa përvoja e punës e detyrueshme.
Vetëm gjashtë ditë pas publikimit të konkursit, kandidatët janë ftuar për testimin me shkrim.
Këtu Inspektori i Punës ka gjetur shkeljen kryesore, pasi konkursi qëndroi i hapur vetëm gjashtë ditë.
Më 9 gusht kandidatët ishin ftuar edhe për testimin me gojë.
Fituese për vendin e punës Asistente e Zyrtarit të Lartë FInanciar ishte shpallur kandidatja me iniciale E.H.
Sipas rezultateve të publikuara nga Stacioni i Autobusëve, E.H kishte 162 pikë nga 200 sosh ( testimi me shkrim dhe gojë). Ndërsa, Meritë Krosa-Sadiku 139 pikë.
Por, kjo e fundit ankesa e së cilës e detyroi Inspektoratin e Punës të ndërmarrë masa, i tha Gazetës Online Shqip.com se E.H ishte e privilegjuar në konkurs.
“Arsye kryesore që unë nuk jam pranuar në këtë konkurs është kurdisja e konkursit për kandidatë të cilët janë paracaktuar për pozitën në fjalë”, pretendon ajo.
Krosa-Sadiku thotë se ka qenë e mbi kualifikuar në konkurs, pasi në vitin 2015 ka diplomuar në Fakultetin Filologjik, gjuhë angleze – Universiteti i Prishtinës dhe është në prag të diplomimit master në Universitetin e Tetovës, po të njëjtin drejtim.
Thotë se ishte e saktë në përgjigjet me shkrim dhe gojë, duke aluduar në atë që kishte shumë pyetje një testim kohëzgjatja e të cilit ishte 35 minuta.
“Te testimi me shkrim, çuditërisht kandidate e parë me pikë renditet kandidatja që erdhi e fundit në vendin ku mbajtëm testin, duke qëndruar jo më shumë se 15 minuta brenda sallës”, thotë Krosa-Sadiku për kandidaten fituese E.H.
Por, dyshime ka edhe për testin me gojë që ishte pjesë e procedurës së konkursit.
“E njëjta parregullsi ndodhi edhe në procesin e testimit me gojë, kur po e njëjta kandidate që doli e para me pikë, nuk qëndroi më shumë se 3 minuta në vendin ku u testuam të gjithë kandidatët, ndërkohë që unë u testova për rreth 15 minuta”, thekson ajo.
Këto pretendime para se t’ia shfaqë Inspektorit të Punës, Krosa-Sadiku ia kishte thënë në formë të shkruar edhe Stacionit të Autobusëve më 18 gusht të këtij viti.
Ankesa ishte hedhur poshtë nga ky institucion 13 ditë më vonë.

“Lista definitive përpilohet duke renditur pjesëmarrësit në testime dhe në intervistë sipas renditjes së pikëve të fituara nga testi dhe intervista”, thuhet në përgjigjen e Stacionit të Autobusëve ndaj ankesës së Kroca-Sadikut.
Pas gjetjeve të shkeljeve nga Inspektorati i Punës tashmë është ri-hapur konkursi dhe i gjithë procesi është kthyer prapa.
Por, nga stacioni i autobusëve në Ferizaj thonë se ende nuk është vendosur se si do të procedohet.
Sekretari i “NPL Stacioni i Autobusëve” në Ferizaj, Ahmet Misini, thotë se në kohën kur ka ardhur vendimi i Inspektoratit ai nuk ishte në punë.
“Vendimi ka ardhur dje, por unë nuk kam qenë në punë. Kam pasur një rast familjar”, ka deklaruar Misini për Shqip.com.
“Pasi ta shohim vendimin e vendosim se çfarë do të bëjmë”.
I pyetur se përse konkursi u la veç gjashtë ditë, e jo 15 ashtu siç do të duhej, tha se “ka ndodhur një gabim teknik”.
Ndërsa, mohoi se konkursi nuk u shpall në media. “E kemi shpallur konkursin, në gazetën Epoka e Re”, theksoi ai. /Shqip.com
