Lajme

U degradua nga KPK pas publikimeve të Shqip.com, Shemsije Asllani jep dorëheqje nga pozita e prokurores të Krimeve të Rënda në Prishtinë

Shemsije Asllani ka dhënë dorëheqje nga pozita e prokurores të  krimeve të rënda në Prishtinë.

Kjo pasi prokurorja Shemsije Asllani fillimisht kishte dërguar ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për ta degraduar nga Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë në atë Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Përmes një e-maili drejtuar kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, Asllani ka bërë të ditur se nga ky moment jep dorëheqje si prokurore e Krimeve të Rënda, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Asllani është degraduar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) pas publikimeve të Shqip.com.

Shqip.com në kuadër të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes” kishte publikuar edhe tekstin me titull Ekskluzive: Ndërhyrje në raste, ushtrim i ndikimit, keqpërdorim i pozitës dhe fotografi të dyshimta – rasti me plot dritëhije i prokurores Shemsije Asllani, ku në një bisedë telefonike tashmë ish–prokurorja e krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, i tregonte një telefonuesi se si ka ndikim të madh brenda sistemit dhe do ta përdorë këtë ndikim për të ndërhyrë edhe në rastin e tij.

Ajo premtonte se do ta ushtrojë ndikimin e saj, vepër penale kjo e dënueshme deri në tetë vjet burg, në rastin e një personi që thoshte se padrejtësisht iu ka ndaluar një veturë shumë e kushtueshme.

Asllani, siç dëgjohet në incizimet e publikuara, fillimisht refuzon të flas, por qasja i ndryshon kur kupton se bashkëbiseduesi di gjëra sekret për të, të cilat po u zbuluan do t’ia dëmtonin imazhin dhe do të mund ta implikonin në shkelje ligjore.

Asllani, vazhdon bisedën duke e ditur se komunimi me një person privat për një rast në të cilin ajo nuk është prokurore është i ndaluar me ligj.

Ndryshe pas publikimeve nga SHQIP.com Driton Muharremi  ka dhënë dorëheqje edhe nga pozita e gjykatësit, ndërsa është shkarkuar edhe Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu./SHQIP.com