Sport Ndërkombëtar

Tjetër mbrëmje e zjarrtë në Champions, M.City-Real dhe Bayern-Arsenal në “betejë” për gjysmëfinalet

Nëse mendoni se spektakli i Champions League u mbyll të martën, me 11 gola të shënuar në dy sfida, kjo e mërkurë rezervon dy përballje të tjera fantastike, Man.City-Real Madrid dhe Bayern Munich-Arsenal. Tifozët e futbollit mbajnë frymën pas në “Etihad”, City-Real premton një show ofensivë, në një kohë kur takimi i parë u mbyll në barazim 3-3.

Dy ekipet më në formë në Evropë synojnë me kohë të plotë një biletë për në fazën gjysmëfinale, të dy ekipet besojnë shumë te ky kualifikim:

Duhet ta ndjejmë presionin e këtij takimi”, hapi Guardiola konferencën për shtyp, duke bërë thirrje që lojtarët dhe ambienti të harrojnë fitoren me “poker” golash një vit më parë: “Duhet ta harrojmë atë ndeshje. Është e pamundur që ne to dominojmë për 90 minuta këtë takim, duhet të dimë edhe të vuajmë, por ne jemi përgatitur për të luajtur një ndeshje në nivel shumë të lartë. Ne kemi një ëndërr, një objektiv të qartë, të shkojmë në gjysmëfinale, do të bëjmë gjithçka për ta realizuar”, theksoi Guardiola duke shtuar më pas se për të është gjithnjë e veçantë të përballet me Real Madrid:

Gjithnjë kështu ka qenë, një sfidë speciale. Të përballesh me Realin në këtë kompeticion është speciale për mua. Nuk i kam frikë, por i respektoj. Dua t’i mund”, theksoi ndër të tjera Pep Guardiola në konferencë për shtyp.

I vetëdijshëm për shkallën e vështirësisë së këtij takimi ishte dhe Carlo Ancelotti, por në të njëjtën kohë beson shumë tek ekipi i tij:

Ndeshja e fundit ishte e ekuilibruar, por sot mund të ndodhë gjithçka. Besojmë se kemi cilësitë e duhura për t’i krijuar probleme Man.City. Është një ndeshje e hapur që duhet luajtur në front të hapur. Jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e këtij takimi, por jemi të bindur që do të japim më të mirë tonë”, u shpreh ndër të tjera Carlo Ancelotti në konferencë për shtyp.

***

Bayern Munich-Arsenal është një tjetër përballje totale, një tjetër super sfidë që premton spektakël, me dy ekipet që do të japin gjithçka për të fituar aktin e dytë ndërmjet tyre, në një kohë kur sfida e parë përfundoi në barazim 2-2. Kjo mund të jetë ndeshja e fundit në Champions League për Thomas Tuchel, por tekniku gjerman kërkon t’i shkojnë deri në fund këtij turneu:

“Duhet të japim gjithçka. Kemi nevojë për pasion dhe për taktikë, ashtu si në ndeshjen e parë. Dëshirojmë më të vërtetë ta fitojmë këtë ndeshje, është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme për ne, për tifozët. Kemi një avantazh të vogël, kjo është eksperienca jonë në këtë kompeticion, por po ta kthyer në favorin tonë na duhet një paraqitje top. Jemi gati të vendosim gjithçka në tavolinë”, theksoi Tuchel në konferencë për shtyp duke folur më pas me respekt për Arsenal:

“Kush thotë që jemi kualifikuar e ka gabim, harrojnë që luajmë kundër një ekipi të shkëlqyer si Arsenal, gjithçka është e hapur, 50 me 50. Ne kërkojmë të kalojmë këtë tur, më pas të fitojmë Champions League pasi ky trofe do të shpëtonte sezonin tonë”, theksoi Tuchel.

Kjo është një sfidë e veçantë edhe për Harry Kane, kapitenin e përfaqësueses angleze: “Kemi një mundësi të shkëlqyer përpara publikut tonë, për të mbajtur të gjallë këtë sezon, për të arritur diçka të rëndësishme në fund. Kemi lojtarë me eksperiencë, që janë mësuar të luajnë në nivele të tilla. Unë shpresoj që të shënoj dhe të ndihmoj ekipin tim, Bayern është një klub që punon çdo vit për të fituar trofe”, u shpreh Harry Kane. Beson te kualifikimi edhe Mikel Arteta:

“Ne do të bëjmë ndeshjen tonë, por kjo varet shumë edhe nga sjellja e tyre. Ne e kemi të qartë se çfarë ndeshje dëshirojmë të zhvillojmë. Pjesa më e madhe e lojtarëve tanë nuk janë mësuar me ndeshje të tilla, ata janë super të motivuar, të përgatitur dhe të sigurt. Ne dëshirojmë të kualifikohemi”, u shpreh Arteta në konferencë për shtyp.

/Shqip.com