Lajme

Themelorja ngrit aktakuzë për vrasjen e gruas në Llaushë të Skenderajt

Ilustrim

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurit S.Q., në drejtim të katër veprave penale.

Prokuroria njofton se për rastin me datë 05 janar 2022, rreth orës 13.30 në fshatin Llaushë të Skenderajt, i pandehuri S.Q., me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij L.Q., me çka ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Po ashtu, i pandehurit S.Q., me aktakuzë ngarkohet edhe për kryerjen e veprave penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“, “Lëndimi i lehtë trupor“ si dhe “Dhuna në familje“.

“Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që të pandehurin t’a shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit”, njofton Prokuroria.

Theksojmë se e ndjera, Lirije Qerimaj, rastin e dhunës e kishte raportuar më 1 janar, por prokurorja e rastit e kishte liruar të dyshuarin me procedurë të rregullt, teksa rastin e kishte cilësuar “Dhunë në familje”.

Katër ditë më vonë, i pandehuri Skender Qerimaj e kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij, në shtëpi.

Vrasja kishte ndodhur në fshatin Llaushë, komuna e Skenderajit, ku më pas  i pandehuri S.Q ishte arrestuar dhe i ishte caktuar masa e paraburgimit për dy vepra penale “Vrasja e rëndë“ nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të KPRK, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lexo edhe:
KPK merr vendim ndaj prokurores në Mitrovicë për vrasjen në Llaushë

Për këtë rast, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), më 14 prill 2022 kishte marrë vendim për aprovimin e marrëveshjes vullnetare me të cilën marrëveshje është bërë pranimi i përgjegjësisë disiplinore nga prokurorja e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Stojanka Kasaloviq.

Me aprovimin e kësaj marrëveshje KPK, prokurores Kasalovic i ka shqiptuar masën disiplinore “Vërejtje publike me shkrim”.

Në vendimin e publikuar nga KPK thuhet se deri tek kjo masë e shqiptuar Këshilli erdhi pasi prokurorja Kasalovic, ka bërë lëshimin e veprimeve procedurale për rastin e dhunës në familje, i cili rast kishte përfunduar me fatalitet pasi viktima L.Q me 5 janar 2022 ishte vrarë nga bashkëshorti i saj S.Q.

Kasaloviq ka qenë prokurore kujdestare më 1 janar kur e ndjera, Lirije Qerimi kishte raportuar në polici dhunën fizike të bashkëshortit të saj./Shqip.com