Kulturë

Teatri Kombëtar mbyllet për renovim, MKRS ende pa plan konkret për zhvendosje të stafit

Teatri Kombëtar i Kosovës, do t’i nënshtrohet një renovimi të plotë.

Sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, punimet në teatër do të fillojnë qysh më 1 korrik.

Mirëpo, MKRS, nuk ka bërë të ditur ndonjë plan “të dytë” për vazhdimin e shfaqjeve dhe punës në teatër gjatë periudhës së punimeve.

Lexo edhe:
MKRS: Teatri Kombëtar i Kosovës do t’i nënshtrohet një renovimi të plotë

Kështu tha edhe drejtori i TKK-së Kushtrim Sheremeti.

“Kemi bërë kërkesë që me na siguru ndonjë hapësirë alternative edhe po presim me na siguru, por nuk kemi ende diçka zyrtare prej ministrisë”, tha Sheremeti në një prononcim për Shqip.com.

Ndërkaq ditë më parë edhe aktori Jeton Neziraj, lajmin për renovimet në teatër e quajti si “skandaloz”.

“Ndërkohë, nuk është krijuar një plan i ‘zhvendosjes’ së Teatrit Kombëtar diku tjetër; as i stafit administrative e as atij kreativ. Mirë, se disa zyre edhe mund të gjenden diku, ku të zhvendoset administrata, megjithatë, është më se e sigurt që Ministria nuk ka siguruar një hapësirë për program dhe edhe nëse gjendet ajo hapësirë, do të duhet kohë që të adaptohet dhe të transformohet në hapësirë teatrore. Pra, s’ka shfaqje, s’ka program… Dhe kjo, njerëz, i bie: për së paku dy vitet e ardhshme, edhe një teatër më pak në Prishtinë”, ka shkruar Neziraj në rrjetin social Facebook.

MKRS ditë më parë njoftoi se në përputhje me përfundimet profesionale e shkencore të ekspertëve, është vënë në veprim për të iniciuar e zhvilluar një proces tërësor të ndërhyrjeve renovuese që do t’i adresojë të gjitha nevojat e revitalizimit, të projektimit, ekzekutimit të ndërhyrjeve dhe funksionalizimit të plotë të ndërtesës së TKK-së , në të cilën po ashtu ushtron veprimtarinë e vet edhe Baleti Kombëtar i Kosovës.

Lexo edhe:
Bodrumi i Teatrit Kombëtar- teatër për balerinët kosovarë