Lajme Botë

Takimi i jashtëzakonshëm i BE-së për energjinë do të mbahet më 9 shtator

Ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko, Komisioneri Evropian i Energjisë, Kadri Simson dhe ministri çek i Industrisë, Jozef Sikela gjatë një konference për media, pas një takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të energjisë të BE-së në Bruksel. 26 korrik 2022.

Republika Çeke sot ka thirrur një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të energjisë të Bashkimit Evropian.

Siç raporton Radio Evropa e Lirë, ky takim vjen pas një rritjeje të çmimeve dhe shqetësimeve për furnizim të shkaktuara si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Ministri çek i Industrisë Jozef Sikela, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e radhës të bllokut, thirri takimin për 9 shtator.

Sikela, tha se një zgjidhje e mundshme për të ndihmuar në lehtësimin e krizës do të ishte kufizimi i çmimit për gazin e përdorur në prodhimin e energjisë elektrike.

“Ne duhet të ndajmë çmimet e gazit nga çmimet e energjisë elektrike”, tha ai.

Komisioni Evropian ka ndërmarrë hapa për të pakësuar varësinë e tij nga importet ruse të energjisë dhe së fundi prezantoi një plan që u bën thirrje vendeve anëtare të shkurtojnë përdorimin e gazit natyror në 15%.

Plani u prezantua për t’u përgatitur për një ndalim të mundshëm të furnizimeve të gazit natyror rus, një shqetësim që është rritur me njoftimin e fundit se një tubacion kyç do të mbyllet përkohësisht për shkak të riparimit.

Lexo edhe:
Nga 15 gushti Kosova në terr, KEDS njofton për reduktime të energjisë elektrike

Roli mbizotërues i Rusisë si furnizues i energjisë për BE-në ka çuar në shqetësimet se Moska mund të kufizojë furnizimet gjatë dimrit si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të BE-së të vendosura për të ndëshkuar Rusinë për luftën e saj kundër Ukrainës.

Sipas Komisionit Evropian, 45 miliardë metra kub gaz duhet të kursehen për të arritur objektivin gjatë shtatë muajve të ardhshëm dhe vetëm Gjermania do të duhet të konsumojë rreth 10 miliardë metra kub më pak.

Lexo edhe:
Nuk do të ketë më reduktime, Shqipëria i del në ndihmë Kosovës

Javët e fundit në Bashkimin Evropian janë raportuar çmime rekord të gazit natyror dhe energjisë elektrike./Shqip.com