Lajme

Nga 15 gushti Kosova në terr, KEDS njofton për reduktime të energjisë elektrike

6 orë me rrymë dhe 2 pa të, kështu do të jenë reduktimet nga 15 gushti ka njoftuar KEDS.

Reduktimet për rrymën, do nisin që në mëngjes.

Në njoftimin e dhënë nga KEDS-si, thuhet se kanë pranuar urdhëresë nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) për të nisur kufizimet e energjisë elektrike.

”KEDS njofton që ka pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispecerike e Kosovës, pjesë e KOSTT, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e të hënës. Këto kufizime, në bazë të planit të dërguar do të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumtorët. Pra, konsumatorët gjatë ditës së hënë do të kenë nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime. Prej nesrit, vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor”, thuhet në njoftim.

KEDS

Sipas KEDS-it, reduktimet kanë ardhur si shkak i mungesës financiare dhe ngritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

“Kjo, pasi KEDS dhe KESCO nuk kanë mundësi financiare më që të nominojmë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë. Deri tek kjo situatë ka ardhur për shkak të cmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mosmbulimit të kostos së sistemit. Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime. Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet në pamundësi të mbulimit nga importi”, thuhet në njoftim.

Theksojmë se ditë më parë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media ka thënë se ballafaqimi me mungesë të energjisë elektrike është i pashmangshëm andaj apeloi që të kursehet rryma.

Sipas saj. Qeveria po punon për gjetjen e zgjidhjeve teknike e operacionale për të realizuar subvencionimin e aprovuar prej 90 milionë euro për energjinë elektrike.

Në anën tjetër, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka pranuar Aplikimin për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të të Hyrave të Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU).

Në kumtesë thuhet se FSHU kërkesën e saj e bazon në mos-disbursimin e subvencionit të zotuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe situatën e krijuar në tregun e energjisë me shumicë si pasojë e rritjes enorme të çmimeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare./Shqip.com