Ekonomi

Tahiri: Prezantimi i buxhetit për vitin 2023 nëpër komuna është mashtrim

Shefi i Grupit të AAK-së, Besnik Tahiri
Shefi i Grupit të AAK-së, Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se prezantimi i buxhetit për vitin 2023 nga Qeveria e Kosovës tek qytetarët është mashtrim i ulët.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri tha se ky buxhet është miratuar pa asnjë konsultim paraprak.

“Buxheti i vitit 2023 është miratuar në Qeveri pa asnjë konsultim paraprak me komunat dhe qytetarët. Prezantimi nëpër komuna është mashtrim i ulët që u bëhet qytetarëve”, shkroi Tahiri.

Tahiri tha se realisht  në esencë janë tri probleme.

“E para, në mungesë të rezultateve, Qeveria ka nisur të prezantojë buxhetet edhe të komunave, kur dihet se buxheti komunal është i rregulluar si financim i rregullt, llogaritur 10% e buxhetit të shtetit në grantin e përgjithshëm, ai për arsim dhe shëndetësi”.

Sipas Tahirit, Qeveria po cenon pavarësinë e komunave me akte arbitrare.

“E dyta, se kjo Qeveri edhe po cenon përditë pavarësinë e komunave me akte arbitrare, si ai për grabitjen e të hyrave vetanake, por njëkohësisht paturpësisht po sillet si një organizate humanitare, që këta u dhanë kaq miliona komunave, ndërkaq çdo projekt i madh investiv nga qendra është shkurtuar dhe nuk ka ndodhur asnjë konsultim për to”.

Shefi i AAK-së, ka sqaruar edhe problemin e tretë që kanë të bëjnë sa i përket ndarjes buxhetore dhe prezantimin e tij tek qyetetarët.

“E treta, nëse Qeveria do donte t’i ndihmonte komunat dhe shërbimet më të mira, nuk do ta hiqte nga agjenda legjislative miratimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, ku parashiheshin financimi i shërbimeve sociale, por edhe mjetet që po mbaheshin nëpër ministri, ku do të shpenzoheshin në zhvillim”.

Instituti GAP ka bërë analizimin e ndarjeve buxhetore për vitin 2023 duke krahasuar me ato të vitit 2022.

Në bazë të të gjeturave nga ky institute, thuhet se ka një rritje prej 464 milionë euro nga buxheti i vitit paraprak.

Instituti GAP: Buxheti i vitit 2023 ka një rritje prej 464 milionë euro nga viti paraprak – SHQIP.com

Me këtë ndarje buxhetore parashihen edhe 1.435 vende të reja pune në sektorin publik.

Buxheti i ndarë për investime kapitale parasheh vetëm 25 për qind për projekte të reja të planifikuara sepse pjesa tjetër shihet si vazhdimësi e projekteve.

Krahas kësaj, 52 për qind e investimet për komuna nga niveli qendror parashihen për ato komuna të udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kujtojmë se, ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se buxheti i vitit 2023 nuk i përmbushë as normat e inflacionit në Kosovë.

Bajrami: Buxheti për vitin 2023 nuk e mbulon as normën e inflacionit – SHQIP.com

Kurse, sot gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me Ministrin e Financave, Hekuran Muratin dhe atë të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin do shkojnë në Gjakovë.

Kurti, Murati dhe Krasniqi do të shkojnë në Gjakovë, prezantohet buxheti për vitin 2023 – SHQIP.com

Arsyeja e vizitës së tyre do të bëhet për të prezantuar buxhetin e shtetit për vitin 2023 para qytetarëve të Gjakovës.

/Shqip.com