Ekonomi

Bajrami: Buxheti për vitin 2023 nuk e mbulon as normën e inflacionit

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Ish-ministrja e Financave dhe njëherësh deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se buxheti i Kosovës për vitin 2023 nuk e mbulon as normën e inflacionit.

Përmes një interviste për EO, Bajrami tha se lidhur me këtë, kanë provuar t’i shpalosin vërejtjet e tyre.

“Ne kemi provuar që t’i shpalosim vërejtjet tona. Për neve buxheti nuk kompenson as normën e inflacionit dhe ju e dini që gjatë këtij viti qytetarët e vendit po përballen me një normë të lartë të inflacionit dhe shikuar nga kjo perspektivë të gjitha zërat buxhetor në terme nominal kanë ngritje por të them të drejtën të gjitha janë më të vogla sesa normal e inflacionit”, tha Bajrami.

Bajrami tha se kanë vërejtur jotransparencë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

“Ajo çfarë ne kemi vërejtur është jotransparenca, në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, janë afro 270 milionë euro të cilat janë në kuadër të kontigjencave të Ministrisë dhe të Fondit për Ringjallje Ekonomike, fonde këto që nuk e di askush prej deputetëve sesi do të shfrytëzohen, pra nuk ka projekte, nuk ka plan e as vizion, dhe ato mbeten që gjatë vitit 2023, Ministria e Financave të vendosë sesi do t’i shpenzojë”.

Krahas kësaj, Bajrami tha se buxheti nga viti paraprak është më i madh, por ka ende para të pashpenzuara në bilancin bankar të shtetit.

“Në terma nominal ka ngritje të buxhetit pothuajse në shumicën e organizatave buxhetore, por kjo nuk e kompenson normën e inflacionit. Në raportin nëntë mujor që e ka dorëzuar Ministria e Financave për informim të deputetëve, aty figurojnë që në bilancin bankar me 30 shtator kanë qenë 677 milionë euro të pashpenzuara”.

Ndërsa për paralajmërimet e Qeverisë se do t’ua marrë Komunave mjetet vetanake të pa-shpenzuara, Bajrami e quan anti-kushtetuese.

“Në fakt ky është një nen shumë problematik. Te pjesa tekstuale te neni 9, për herë të parë në histori Ministria e Financave ka futur një fjali të tillë tek paragrafi i gjashtë, ku thotë se të gjitha fondet të cilat janë mbledhë para vitit fiskal 2022 dhe janë të pashpenzuara, do të trajtohen si suficit. Kjo është anti-kushtetuese sepse janë ligje të tjera të cilat këto mjete komunave ua lejon që t’i bartin vit pas viti. Në anën tjetër kjo është tepër kontradiktore sepse Kuvendet Komunale i kanë aprovuar buxhetet me investime kapitale me të cilat i kanë llogarit që t’i kenë këto të hyra të bartura, dhe në fakt një draft-buxhet i tillë është votuar në Qeveri dhe është votuar në parim”.

Tutje, Bajrami tha se partia e saj nuk do ta votojë buxhetin për vitin 2023.

/Shqip.com