Lajme

Tahiri: Nëse nuk ekzekutohen pagat për grevistët do të bëjmë kallëzim penal ndaj Muratit

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në konferencë për media.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj ministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transferëve, Hekuran Muratit.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri tha se ky kallëzim penal do të bëhet nëse nuk ekzekutohen pagat për grevistët.

“Ne do të presim një afat prej pesë ditëve që të ekzekutohen pagat. Nëse Brenda këtyre pesë ditëve të punës nga dita e premte kur është dashur që të ekzekutohen  pagat dhe nuk ekzekutohen deri në ditën e enjte ne do të bëjmë një kallëzim penal ndaj ministrit”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, mosekzekutimi i pagave është vepër penale.

“Mosekzekutimi i pagave nga ministri i Financave është vepër penale dhe ne në Prokurorinë Speciale të Kosovës do të bëjmë kallëzim penal”.

Krahas kësaj, Tahiri tha se është lajm i mirë që procesi mësimor ka filluar por që mësimi po fillon në mënyrën më të keqe të mundshme.

“Sot është një lajm jashtëzakonisht i mirë që me në fund në javën e gjashtë filloi mësimi në Republikën e Kosovës nga një grevë e cila ishte plotësisht me kërkesa legjitime nga mësimdhënësit  e realisht sot po fillon mësimi në mënyrën më të keqe të mundshme”.

Mësim do të duhej të fillonte me një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës dhe nuk duhet të cenohet dinjitteti i mësimdhënësve.

Kujtojmë se grevistët ende nuk i kanë marrë pagat e tyre dhe ministri Murati më parë kishte deklaruar se pagat do të dalin vetëm për ditët që kanë punuar dhe jo për kohën sa kanë qenë në grevë.

Sot gjatë ditës së hënë ka filluar procesi mësimor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar në Kosovë.

Kjo pasi SBASHKU-u tashmë ka pezulluar grevën deri në janar të vitit 2023.

Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka thënë se përgatitjet janë bërë që nga data 1 shtator për të filluar procesi mësimor por kjo nuk u realizua për shkak të grevës nga ana e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

“MAShTI i kishte bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillonte me 1 shtator kur zyrtarisht duhej të fillonte mësimi, por që kjo nuk u realizua për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK”, thuhet në njoftim.

MAShTI ka bërë të ditur se do të formojë grupin punues për Kalendarin e vitit shkollor.

“Të hënën, MAShTI do të formojë grupin punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla. Drejtoritë Komunale të Arsimit do të sigurohen për mbarëvajtjen e procesit mësimor”.

Tutje nga Ministria e Arsimit kanë ftuar për bashkëpunim dhe mobilizim të të gjithëve pa dallim për të plotësuar humbjet e shkaktuara gjatë grevës.

Gjithashtu, MAShTI dje ka njoftuar se janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të Drejtorive Komunale të Arsimit. Teksti i Gjuhës shqipe, klasa e pestë, tekst i ri i hartuar këtë vit, do të dërgohet brenda kësaj jave në shkolla.

SBASHKU: 54.88% janë deklaruar pro pezullimit të grevës ndërsa 45.12% janë shprehur kundër – SHQIP.com

Por me kërkesën e anëtarësisë së SBASHK-ut, greva në arsim do të pezullohet deri në |Janar të vitit 2023.

Për më shumë se një muaj mësimdhënësit kanë qenë në grevë kështu duke pezulluar mësimin parauniversitar në nivel vendi.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj vazhdonte të thoshte që deri në plotësimin e kërkesës për 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit të pagave, greva nuk do të ndërpritet.

Nga kjo sindikatë thonin se prisnin të ketë reflektim nga ana e Qeverisë.

Në anën tjetër, i palëkundur karshi qëndrimeve të tij qëndronte kryeministri Albin Kurti.

Shefi i ekzekutivit kishte deklaruar më 25 shtator se pret që mësimi të fillojë sa më parë ndërsa sindikalistët i ka quajtur “sindikalist të PAN-it”.

BSPK-ja hyn në grevë të përgjithshme më 25 gusht – SHQIP.com

Ndryshe, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) të enjten e 25 gushtit shpalli grevën e përgjithshme për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli në fillim të grevës pati deklaruar se ajo do të zgjasë derisa të përmbushen kërkesat e tyre./Shqip.com