Lajme

Sveçla reagon për rastin e të moshuarës në Pejë: Të sillen para drejtësisë të implikuarit në ngjarje

Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme
Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar lidhur me sulmin fizik që ka ndodhur ndaj një të moshuarës në shtëpinë e Pleqve në Pejë.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se veprimet e tilla janë të papranueshme.

“Me shqetësim kemi parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të një gruaje të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë. Veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje”, shkroi Sveçla.

Sveçla ka kërkuat drejtësi ndaj të gjithë personave të përfshirë në ngjarje.

“Nga Policia e Kosovës jam njoftuar që deri më tani janë arrestuar dy nga dhunueset dhe hetimet po vazhdojnë. Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor”.

Në një video të postuar në rrjetin Facebook, nga përdoruesja, Kaltrinë Zeneli, shfaqen pamje të rënda, ku shihet një e moshuar duke u keqtrajtuar fizikisht nga një infermiere e Shtëpisë së të Moshuarve në Pejë.

Në videon e publikuar për një minutë, e moshuara vuan e bërtet nga goditjet në fytyrë që i bëhen në mënyrë të vazhdueshme nga punëtorja që ushtron dhunë sistematike.

Tutje, teksa e moshuara goditet, dhunuesja incizohet nga koleget e saj me mburrje, duke e përkrahur në torturimin që i bëhet të moshuarës.

(VIDEO)Pamje të rënda: Torturohet fizikisht një e moshuar nga infermierja e Shtëpisë së të Moshuarve në Pejë

/Shqip.com