Lajme

Sveçla reagon pas sulmit ndaj policëve në Skenderaj: Ngjarje e patolerueshme, është sulm ndaj Republikës

Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka quajtur të patolerueshëm sulmin ndaj dy zyrtarëve policorë të cilët janë plagosur mesnatën e së shtunës në Skenderaj.

Sveçla i cili aktualisht ndodhet për vizitë zyrtare në Bruksel, ka thënë se “policët në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar”.

“Sot publiku i gjerë në Kosovë ishte dëshmitar i një sulmi të paprovokuar dhe të rëndë ndaj institucionit të Policisë. Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e pa tolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e Republikës”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.

Veç tjerash, Sveçla tha se pret që organet e drejtësisë të marrin masa sipas ligjeve në fuqi ndaj sulmuesve.

Ai shtoi se sapo të kthehet nga udhëtimi zyrtar në Bruksel do të vizitojë zyrtarët policorë.

“I uroj nga zemra shërim të shpejtë dhe të plotë dy policëve të plagosur sot. Do t’i vizitoj nga afër sapo të kthehem nga udhëtimi zyrtar në Bruksel. Mbes i bindur se nuk ka asgjë që mund t’i zmbraps ata dhe kolegët e tyre nga misioni që ia jep detyra e vullneti. Unë, por dhe të gjithë qytetarët presim që organet e drejtësisë të marrim masa, sipas ligjeve në fuqi dhe paekuivoke për sulmuesit”, shtoi ai.

Në mesin e të dyshuarve për sulm ndaj policëve është edhe ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku.

Nuredin Lushtaku

Për këtë rast, Shqip.com ka kontaktuar avokatin e Lushtakut, Artan Qerkini.

Lexo edhe:
Qerkini: Nuk rëndon ndonjë dyshim që është përdorur armë nga ana Lushtakut

Qerkini ka thënë se nuk rëndon ndonjë dyshim që është përdorur armë zjarri nga ana e Lushtakut.

“E kam takuar zotërinë Lushtaku, ai është liruar në procedurë të rregullte, mbi të nuk rëndon dyshimi që është përdorur arma e zjarrit gjatë incidentit në fjalë” ka thënë ai.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, sipas së cilës, njëri polic është plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është lënduar nga mjetet e forta, për çka janë arrestuar dy persona dhe dy të tjerë janë në kërkim.

Inspektorati Policor kanë bërë të ditur se deri tani nuk ka asnjë polic të dyshuar për incidentin e së shtunës mbrëma në Skenderaj dhe se hetimet do të vazhdojnë nga Policia e Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht hetuesit e Departamentit të hetimeve, janë njoftuar lidhur me këtë incident. Pas njoftimit të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka qenë edhe prokurori kujdestar. Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar, ju njoftojmë së në këtë fazë hetimet lidhur me këtë incident do t’i vazhdojë Policia e Kosovës. Në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Policisë.

Reth sulmit ndaj zyrtarëve policorë ka reaguar edhe Sindikata e Policisë.

“Sindikata e Policisë së Kosovës është e shqetësuar me rastin e sulmit ndaj dy zyrtarëve policorë në Skenderaj, me ç’rast njëri nga ta është plagosur me armë zjarri, kurse tjetri me mjet të fortë, duke qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në reagim.

Sindikata e Policisë ka kërkuar nga organet e drejtësisë që për personat e dyshuar të veprohet sipas ligjit./Shqip.com