Lajme

Sveçla për shurdhuesit e blerë nga ish- Qeveria Thaçi: Presim informacione nga hetuesia

Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është pyetur gjatë raportimit në Komisionin për Siguri, rreth blerës së armëve dhe shurdhuesve nga ish- Qeveria Thaçi, në vitin 2011.

Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci ka kërkuar informacione nga Sveçla, nëse organet janë duke e hetuar rastin, pasi sipas tij furnizimi bie në kundërshtim me ligjin.

“Është blerë një shurdhues për Qeverinë e Kosovës për pushtetet e kaluara, Ligji për Armë nuk e  lejon. A jeni të informuar për ketë çështje, sepse nuk e lejon Ligji për Armë? Pra, zotëri Abelard Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka blerë shurdhues me para të Qeverisë”, ka thënë Bajqinovci.

Për këtë, Sveçla ka thënë se është duke pritur informacione nga organet e hetuesisë.

“Unë jam njoftuar për temën që po flisni dhe është çështje e organeve të hetuesisë të hetojnë në detaje se çfarë ka ndodhur. Në momentin kur këto organe janë të gatshme të ndajnë informacione me mua dhe ju, ne do t’i bëjmë publike”, ka thënë ministri.

Shqip.com ka raportuar javë më parë se, Abelard Tahiri, si ish- shef i kabinetit të ish-Qeverisë Thaçi, me para të shtetit kishte blerë armë të personalizuar.

Në përgjigjen e dhënë lidhur me blerën e armëve, Tahiri pati thënë se të njëjtat i kanë dorëzuar me të përfunduar mandatin.

Lexo edhe:
Abelard Tahiri me para të shtetit bleu armë të personalizuar

Por, në përgjigjen e dhënë nga Zyra e kryeministrit, rezultoi Tahiri armën e kishte dorëzuar shtatë vjet pas përfundimit të detyrës, dhe pas kërkesave të Sekretariatit të ZK-së.

Lexo edhe:
Tahiri nuk e ktheu armën me përfundimin e mandatit siç deklaroi, e mbajti edhe 7 vjet të tjera

Në dokumentet e tjera të siguruara nga Shqip.com, rezultonte se kabineti ishin furnizuar edhe me pesë shurdhues për armë, të cilët Tahiri deklaroi se ishin përdorur nga mbrojtja e afërtë.

Lexo edhe:
Përveç me armë e fishekë, kabineti i Thaçit del të jenë pajisur edhe me shurdhues