Lajme Ish- shefi i kabinetit të Qeverisë Thaçi, Abelard Tahiri i pyetur se pse është dashur arma të mos lëshoj zë në rast përdorimi, ka thënë se kërkesa për tu pajisur me shurdhues kishte ardhur nga njësia e sigurimit të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi

(Dokument) Përveç me armë e fishekë, kabineti i Thaçit del të jenë pajisur edhe me shurdhues

Ilustrim

Kabineti i qeverisë së ish-kryeministrit Hashim Thaçi kishte blerë pesë paisje të cilat për funksion kishin ndaljen e zhurmës së armëve të zjarrit.

Në dokumentin e siguruar nga SHQIP.com të datës 2 mars 2011, figuron se kabineti ishte furnizuar fillimisht me pesë armë dhe në kuader të po të njëjtës blerje, ishin blerë edhe pjesë të tjera si shurdhues.

Bashkë me pjesët përcjellëse ato kishin kushtuar 19 mijë euro.

Në dokument figuron se janë blerë pesë shurdhues të llojit MP 7 A1.

Dokument

Shqip.com ka kërkuar përgjigje nga Abelard Tahiri i cili atë kohë ishte shef i kabinetit të Thaçit.

I pyetur se pse është dashur arma të mos lëshoj zë në rast përdorimi, Tahiri është përgjigjur se kërkesa për tu pajisur me armë me shurdhues kishte ardhur nga njësia e sigurimit të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi.

“Kerkesa ka ardhur nga njësia e sigurimit për nevojat e tyre. Janë marrë nga ata, jane kthy kur e kanë përfundu mandatin edhe kaq”, u shpreh ai.

Ndërsa shton se armët me shurdhues janë përdorur vetëm nga zyrtarë të policisë dhe njësia e sigurimit të Thaçit.

“Ato janë asete të zyrës së Kryeministrit edhe janë dorëzuar. Ato (armët me shurdhues) janë përdor prej policisë dhe njësisë së sigurimit të kryeministrit prej këtyre dy parëve janë përdor”, tha Tahiri.

I njëjti mohoi se armën të cilën e ka poseduar të ketë pasur mjete përcjellëse, shurdhues.

“Jo, jo, ska pasë”, përfundoi Tahiri për SHQIP.com.

Lexo edhe:
(Dokument) Abelard Tahiri me para të shtetit bleu armë të personalizuar

Por, a lejohen shurdhuesit sipas ligjit të përdoren në Kosovë?

Avokatja Fehmije Gashi – Bytyqi ka sqaruar se sipas Kodit Penal, askush nuk ka të drejtë të ketë shurdhues.

Gashi – Bytyqi tha se nuk i lejohet personave civil e as zyrtarëve të posedojnë shurdhues.

“Në asnjë mënyrë, askujt nuk i lejohet”, u shpreh ajo.

“Shurdhuesi të lë hapësirë për të dyshuar se është ndonjë motiv i thellë, eventualisht ta kryej dhe të mos lë shenjë”, tha avokatja.

Më tej ajo shtoi se të pasurit një pajisje të tillë, nuk është pjesë e marrëveshjes mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucionit që lëshon armë.

“Me sa jam në dijeni, nuk është pjesë e marrëveshjes mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Institucionit kompetent që lëshon armë. Nëse blehet një armë e tillë, menjëherë tregon rrezikshmërinë dhe motivin e thellë që eventualisht të kryehet ndonjë vepër penale, pa zhurmë”

Madje, ajo tha se në raste të tilla, Prokuroria do duhej të niste hetime mbi rastin.

“Konsideroj se në këtë rast, Gjykata në krahasim me armët e rëndomta, në praktikë mund të shqiptoj dënime apo edhe të hetoj rastin pse janë armët me paisje pa zhurmë”, u shpreh avokatja.

Lexo edhe:
Tahiri refuzon të jap sqarime shtesë për armën e personalizuar

Një javë më parë, Shqip.com ka raportuar se si stafi politik i ish kryeministri Hashim Thaçi ishin pajisur me armë zjarri.

Në mesin e tyre rezultojnë te jenë ish-shefi i kabinetit, Abelard Tahiri, ish-shefi i stafit Bekim Çollaku dhe Isni Thaçi.

Përveç armëve ata kishin blerë edhe 20 mijë fishekë./Shqip.com