Kulturë Kino

Sukses tjetër për kinematografinë e Kosovës – Filmi “Ditë e Kuqe” pjesë e festivalit të Gjenevës

Filmi kosovar me regji të Besim Ugzmajlit, “Red Day”, është përzgjedhur për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Oriental të Gjenevës.

Festivali ofron një turne botëror në 50 filma me 40 të ftuar dhe 7 vende për shfaqje, debate dhe ekspozita në internet.

Regjisori Besim Ugzmajlit, tha se ky është një hap tjetër në vazhdimësinë e prezantimeve ndërkombëtare dhe gjithashtu e konsideroj këtë si të rëndësishëm e domethënës.

 “Mendoj se kemi bërë një përpjekje për të eksperimentuar me zhanre dhe me teknikë xhirimi, pra është një film që subjekti kalon në mediume teatrore e filmike duke e thyer murin e katër shpeshherë dhe si i tille është xhiruar me një shot”, tha Ugzmajli për Shqip.com.

Tutje, ai tha se filmin e bënë të veçantë gjithashtu edhe loja e harmonizuar e aktorëve siç janë Teuta Krasniqi, Agron Shala, Orgesa Mehmeti e aktorët e tjerë që janë në role të tjera.

Sipas, Ugzmajlit Kosova ka dëshmuar që ka potencial në zhvillimin e kinematografisë, e për këtë është e nevojshme një përkrahje më e madhe nga institucionet.

“Sukseset e filmave në Kosovë janë shumë herë më të mëdha se përkrahja institucionale. Duhet një përkrahje shumë më domethënëse për filmin, sepse koha ka dëshmuar që në Kosovë është një potencial shumë real i zhvillimit te kinematografisë”, tha tutje ai.

Pjesëmarrja ne festivale te ndryshme të filmit “Red Day” tanimë veç është konfirmuar dhe filmi do të vazhdojë edhe në javët e muajt në vazhdim./Shqip.com