Kulturë

Sterjo Spasse një nga prozatorët kryesorë të letërsisë shqiptare

Sterjo Spasse

Sterjo Spasse është shkrimtar shqiptar dhe një ndër kryesorët e letërsisë së shekullit XX, i cili, shkollën fillore e kreu në Korçë, ndërsa shkollën Normale në Elbasan.

Një kohë punoi si mësues e më vonë vazhdoi studimet e larta për pedagogji në Firencë të Italisë dhe mandej për letërsi në Bashkimin Sovjetik.

Spasse, kishte dhënë kontribut edhe si tregimtar, publicist, studiues e përkthyes, ai shkroi edhe shumë shkrime pedagogjike, si dhe tekste shkollore. Sterjo Spasse u dallua me shkrimet e veta krijuese dhe artistike në fushën e tregimeve dhe romaneve.

Sterjo Spasse

Ai u bë i njohur me kryeveprën “Pse?” e botuar në vitin 1930, roman në të cilin, Spasse u shfaq me një krijim letrar e filozofik, e ku pasqyronte realitetin në një mënyrë artistike, duke i lënë edhe si titull pyetjen klasike filozofike “Pse?”.

Në romanin “Pse?” përjetohen gjithçka, si dhimbje emocionale, dyshime, ndjenja e vuajtje, gjë kjo e cila i bënë lexuesit në radhë të parë ta përjetojnë emocionalisht, tërë përmbajtjen e tij.

Romani “Pse?”, i Sterjo Spasses shënon kështu një risi të vërtetë e të suksesshme në historinë e romanit kombëtar, një hap drejt modernizimit të tij.

Ai është një ndër shkrimtarët më të vlerësuar me çmime, para dhe pas vdekjes. Është nderuar me çmime të para kombëtare për romanet “Afërdita përsëri në fshat”, “Buzë liqenit”, “Zgjimi”, vëllimin me tregime “Të fala nga fshati”.

Fragment nga romani “Pse?” i Sterjo Spasses

Ç’është jeta për ty? – e pyeta.

-Flluska sapuni, – m’u përgjigj.

-Po vdekja?

-Shpërblimi i jetës!

-Ç’është bota?

-Një pikë helm në hapësirë!

-Ç’është me e kuptuar në Botë?

-Vdekja?

-Cila është kafsha më e egër?

-Njeriu!

-Po më e butë?

-Ajo që s’ka lindur!

-Cili njeri ju duket më i poshtër?

-Ai që ndryshon veten me një emër të huaj dhe ai që punon aq mizorisht sa që nuk kujton as vdekjen!

-Ç’është budallallëku?

-Të duash një gjë që s’e ke dhe të kujtosh se je ai që s’je!

-Po puna më e mençme?

-Te gëzosh të tanishmen!

-Ç’është më e afërme?

-Vdekja!

-Po më e largët?

-Zemra ime me tënden dhe fillimi e fundi i hiçit.

-Çfarë është e pavdekur?

-Hapësira!

-Çfarë është më e bukur?

-Fantazia!

-Po më e shëmtuar?

-Sëmundja!

-Më e hidhur?

-Jeta!

-Më e ëmbël?

-Hiçi!

-Ç’gjë e është më e madhe?

-Libri i Botës!

-Po më e rëndë?

-Fjala!

-Më e pamundur? – Këtu u mendua pak, sikur donte të çlodhej. më shikoi një copë herë në fytyrë si me habi e pastaj duke m’i shtrënguar të dy duart, më tha me butësi:

-Edhe në të pyetur duhet mjeshtëri! Çfarë pyetët tani?

-Çfarë gjë ju duket tani dhe do t’ju dukej mbas disa mijë vjetëve – sikur të jetonit – si e pamundur?

-Të ndryshosh veten dhe formën, dmth jam unë të bëhem ti, dhe jam njeri dhe të bëhem pëllumb!

-Kur shpërblehet njeriu?

-Kur e kujton veten të lumtur!

-Çfarë gjë ju duket më e mërzitur?

-Çdo send është më i mërzitur se njeri tjetër!

-Çfarë gjë ju duket më e vështirë?

-Të jesh njeri!

-Po më e lehtë?

-Të krijosh krijesë njerëzore!

-Cili është ngushëllimi i të pasurit?

-Pesha e qeses!

-Po i të vobektit?

-E ardhmja!

-Nuk ju kuptoj, – i thashë për së dyti.

-Vdekja! -mu përgjigj serioz

-Po ç’përmban jeta e njeriut?

-Vetëm dyshime!….