Lajme

Stano: BE-ja nuk konsideron që Serbia i ka rinovuar targat KM

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga secili veprim që mund të destabilizojë situatën, edhe ashtu të brishtë, dhe që çfarëdo sqarimi rreth interpretimeve për marrëveshjen për targat ta adresojnë në kuadër të dialogut.

Duke u përgjigjur në pyetjet rreth akuzave që kanë shkëmbyer Kosova dhe Serbia për mosrespektimin e marrëveshjes rreth targave, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme.

“BE kërkon nga të gjitha palët që të respektojnë në tërësi dhe pa kushte marrëveshjet dhe aranzhimet e arritura më 23 nëntor të vitit të kaluar, me të cilat edhe Kosova edhe Serbia u pajtuan për masat specifike rreth targave për të ulur tensionet dhe për t’u fokusuar në tërësi te propozimi i BE-së për të normalizuar raportet e tyre“ ka thënë Stano.

Lexo edhe:
Sveçla: Serbia ka shkelur dakordimin për targa

Në anën tjetër, Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se Serbia ka shkelur dakordimin për targa.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla tha se Policia e Kosovës, në vendkalimet kufitare ka evidentuar disa vetura me targa ilegale të cilat ishin ri-regjistruar në muajin dhjetor të vitit 2022.

Lexo edhe:
Thuhet se makinat me targa ‘KM’ nuk lejohen më të hyjnë në Kosovë

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës pati marrë masa ndaj shoferëve të cilët vozisnin automjete me targa ilegale e të cilat janë të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Por, ky vendim solli shumë pakënaqësi tek serbët lokal duke u bërë shumë incidente dhe kundërshtish.

Qeveria e Kosovës pati caktuar masa ndaj shoferëve të cilët vozisin këto automjete duke rrezikuar përshkallëzimin e situatës në veri. Kjo gjendje ngjalli edhe reagimet e ndërkombëtareve.

Megjithatë, në Bruksel u arrit një marrëveshje për targat në mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje parasheh mosvazhdimin e masave të parapara nga Qeveria e Kosovës për shoferët që vozisin automjete me targa të cilat cilësohen ilegale në Kosovë dhe janë të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Ndërsa, pala serbe është dakorduar që të mos bëj regjistrimin e automjeteve apo të moslëshojë targa për shoferët serb të cilët jetojnë në Kosovë.

/Shqip.com