Lajme

Sveçla: Serbia ka shkelur dakordimin për targa

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se Serbia ka shkelur dakordimin për targa.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla tha se Policia e Kosovës, në vendkalimet kufitare ka evidentuar disa vetura me targa ilegale të cilat ishin ri-regjistruar në muajin dhjetor të vitit 2022.

“Serbia ka shkelur dakordimin për targat. Policia e Kosovës, saktësisht Drejtoria e Kufirit, ka evidentuar në disa pika kufitare vetura me targa ilegale “KM”, të ri-regjistruara në muajin dhjetor 2022. Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe ri-regjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim”, shkroi Sveçla.

Sveçla tha se Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në Kosovë.

“Në respektim të legjislacionit tonë dhe dakordimit të arritur në Bruksel​, Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës. Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë, nuk do të lejohen të hyjnë apo veprojmë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre”.

Edhe sot gjatë ditës është raportuar nga një medie serbe për moslejimin e kalimit të automjeteve me targa ‘KM’ nga Policia e Kosovës në Jarinje.

Policia e Kosovës në pikën kufitare në Jarinje kanë ndaluar një autoambulancë me pretekstin se ishte me targa ‘KM’ dhe nuk lejohen më nga autoritete e Kosovës.

Lexo edhe:
Thuhet se makinat me targa ‘KM’ nuk lejohen më të hyjnë në Kosovë

Shoferi i ambulancës, Milan Jovanoviç kishte deklaruar se policia i kanë thënë se vendimi për moslejimin e kalimit të automjeteve me targa ilegale, iu kishte ardhur sot në 10:00 të mëngjesit. Sipas kësaj letre, pretendohet se pas datës 10 dhjetor, nuk lejohet asnjë automjet me targa ilegale që ta rinovojë regjistrimin.

Krahas kësaj, Jovanoviq ka deklaruar se të gjitha automjetet private që mbanin targa ilegale, janë detyruar që të kthehen mbrapsht.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës pati marrë masa ndaj shoferëve të cilët vozisnin automjete me targa ilegale e të cilat janë të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Por, ky vendim solli shumë pakënaqësi tek serbët lokal duke u bërë shumë incidente dhe kundërshtish.

Qeveria e Kosovës pati caktuar masa ndaj shoferëve të cilët vozisin këto automjete duke rrezikuar përshkallëzimin e situatës në veri. Kjo gjendje ngjalli edhe reagimet e ndërkombëtareve.

Megjithatë, në Bruksel u arrit një marrëveshje për targat në mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje parasheh mosvazhdimin e masave të parapara nga Qeveria e Kosovës për shoferët që vozisin automjete me targa të cilat cilësohen ilegale në Kosovë dhe janë të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Ndërsa, pala serbe është dakorduar që të mos bëj regjistrimin e automjeteve apo të moslëshojë targa për shoferët serb të cilët jetojnë në Kosovë.

/Shqip.com