Lajme

SPAK shpallë në kërkim, të dyshuarin për planifikimin e atentatit ndaj kryeministrit Kurti

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – SPAK, ka arrestuar dhe ka vënë në kërkim një numër përsonash që janë aktualisht pjesë e strukturave apo ishin pjesë e tyre.

Mes 15 personave të dosjes së SPAK, tetë prej të cilëve janë arrestuar gjatë operacionit “Metamorfoza”, del edhe emri i Prek Kodrës, i cili është shpallur në kërkim.

Në dosjen voluminoze të SPAK pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin Sky dhe Encro prej autoriteve franceze, që çoi në arrestimin e disa personave, del edhe emri i Prek Kodrës, snajperistit të verifikuar për disa vrasje në Shqipëri dhe Kosovë.

Ai dyshohet për vrasjen e Kastriot Reçit, në distancë me snajper nga 400 metra, rast edhe sot i pazbardhur.

Kodra ishte arrestuar në Shkodër për posedim të snajperit, por u lirua pasi i biri e mori persipër se ishte arma e tij.

SPAK ka njoftuar se gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës, është ushtruar kontroll në 26 banesa dhe ambiente, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete të ndryshme, telefona, armë zjarri të ndryshme, maska, pajisje elektronike, pajisje elektronike monitorimi (servere dhe kamera) me të cilat monitoreshin ambjente të jashtme në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës.

SPAK ka njoftuar se në këtë aksion pos policisë së shtetit, pjesë e saj ishin edhe Eurojust, Europol, Autoritetet Gjyqësore Franceze dhe agjencitë ligjzbatuese belge, hollandeze dhe franceze.

Çfarë janë lidhjet e Prek Kodrës me Kosovën?

Për herë të parë, emri i Prek Kodrës doli në një nga emailet e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, që u publikua nga grupi i hakerëve iranianë “Homel and Justice”, për të cilin Shqip.com kishte raportuar ekskluzivisht në shtatorin e vitit të kaluar.

Në një dokument sekret, publikuar edhe nga Shqip.com, Njësia Kundër Terrorizmit në vitin 2021, kishte marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës, Xhavit Halitit.

Në dokument thuhej se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve dhe dyshohej se ishte përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi.

Në dosjen e SPAK, ende nuk dihet roli i tij konkret, por nga bisedat e zbuluara në aplikacionet Encro dhe Sky, porositësit e vrasjeve flisnin lirshëm për punët e tyre.

Sipas të dhënave të policisë Prekë Kodra jetonte në Shkodër, ndërsa vepronte në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.

Sipas Policisë Shqiptare, ky person është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut.

Ai ka qenë i shpallur në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Kodra konsiderohej si person me rrezikshmëri të lartë.

Kodra kishte mohuar se ai qëndronte pas një sulmi të paralajmëruar për t’i bërë atentatit Kurtit dhe shtoi se e gjithë kjo situatë është duke ia vështirësuar jetën atij dhe familjes së tij.

“Çka me spjegu, se është diçka që vetëm kanë shpik sikur kanë shpik persona të paidentifikum për mu,. Albin Kurtin e njoh vetëm përmes televizorit, unë nuk e njof dhe nuk kam asnjë lidhje në Kosovë për asnjë lloj qëllimi të keq. Më vjen keq, më keni akuzu, po më merrni në qaf mu edhe familjen teme”, kishte thënë ai në emisionin “Pressing T7”.

Por, Kodra kishte njohje me politikanë të vendit dhe për një nga ta e kishte publikuar Shqip.com më 20 shtator 2022.

Në një fotografi të publikuar nga Shqip.com, Kodra shihet në darkë me deputetin nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish zv. Kryeministrin e Kosovës Driton Selmanaj.

Preke Kodra në dark me ish zv.Kryeministrin e Kosovës Driton Selmanaj

Sipas informacioneve fotografia del të jetë realizuar në Prizren në fund të vitit 2020, në kohën kur Selmanaj ishte zëvendëskryeministër.

Kodra kishte thënë se deputetin Selmanaj e ka parë vetëm në atë darkë dhe asnjëherë tjetër.

“Më vjen shumë keq për atë person se është figurë e keni marrë nëpër gojë, tu e lidh me mu. Cdo gjë është kot këtu. Kam qenë në Kosovë me gjithë një nip temin dhe me një person, mik të nipit tem që nusja e tij shkon në Zvicër. Kemi shku në Kosovë, jena ftu për një darkë dhe e kemi gjetë atë person aty, deri vonë fare nuk e kom ditë që ka qenë deputet. Kena hanger dhe kemi pi, kemi ndejt 2 apo 3 orë. Unë në jetën tem nuk e kam parë asnjëherë vetëm atë ditë. As emrin nuk ia di. Tash ia kom msu emrin. Ai është burrë i nderum dhe zotëri. Nuk është se kom ndejt shumë me to që me ia mbajt emrin në mend”, u shpreh Kodra.

Lexo edhe:
Ekskluzive: Deputeti Selmanaj në darkë me snajperistin Prekë Kodra- që dyshohej për planifikimin e atentatit ndaj Kurtit

/Shqip.com