Lajme

Prekë Kodra që dyshohet për planifikimin e atentatit ndaj Kurtit tregon si u takua me Driton Selmanajn

Preke Kodra

Prekë Kodra i cili dyshohet për planifikimin e atentatit ndaj kryeministrit Albin Kurti ka folur pas lajmeve që qarkulluan ditëve të fundit ku u lakua emri i tij.

Ai mohoi të ketë gisht në planifikimin e atentatit ndaj Kurtit dhe shtoi se e gjithë kjo situatë është duke ia vështirësuar jetën atij dhe familjes së tij.

“Çka me spjegu, se është diçka që vetëm kanë shpik sikur kanë shpik persona të paidentifikum për mu,. Albin Kurtin e njoh vetëm përmes televizorit, unë nuk e njof dhe nuk kam asnjë lidhje në Kosovë për asnjë lloj qëllimi të keq. Më vjen keq, më keni akuzu, po më merrni në qaf mu edhe familjen teme”, tha ai në emisionin “Pressing”.

Kodra, poashtu dha sqarime edhe për fotografinë e publikuar ku shihet me deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.

Ai tha se Selmanajn e ka parë vetëm në atë darkë dhe asnjëherë tjetër.

“Më vjen shumë keq për atë person se është figurë e keni marrë nëpër gojë, tu e lidh me mu. Cdo gjë është kot këtu. Kam qenë në Kosovë me gjithë një nip temin dhe me një person, mik të nipit tem që nusja e tij shkon në Zvicër.

Kemi shku në Kosovë, jena ftu për një darkë dhe e kemi gjetë atë person aty, deri vonë fare nuk e kom ditë që ka qenë deputet. Kena hanger dhe kemi pi, kemi ndejt 2 apo 3 orë. Unë në jetën tem nuk e kam parë asnjëherë vetëm atë ditë. As emrin nuk ia di. Tash ia kom msu emrin. Ai është burrë i nderum dhe zotëri. Nuk është se kom ndejt shumë me to që me ia mbajt emrin në mend”, u shpreh Kodra.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj dhe Prekë Kodra

Shqip.com, gjatë 20 shtatorit raportoi se si Kodra dhe Selmanaj kishin ngrënë darkë së bashku ku sipas informacioneve fotografia del të jetë realizuar në Prizren në fund të vitit 2020, në kohën kur Selmanaj ishte zëvendëskryeministër.

Lexo edhe:
Ekskluzive: Deputeti Selmanaj në darkë me snajperistin Prekë Kodra- që dyshohej për planifikimin e atentatit ndaj Kurtit

Në një përgjigje përmes telefonit, Selmanaj ka konfirmuar takimin me Kodrën, duke sqaruar se kjo është bërë përmes mikut të tij (vëllai i gruas së djalit të axhës).

“Po kjo fotografi po është e saktë, unë jam aty. Ky në mes po është miku jem i shtëpisë, është vëllai i gruas së djalit të axhës temë. Edhe ky ka pas mysafirë prej Shkodrës, ky është nga Zvicra ky miku im, ka pas mysafirë prej Shkodrës dhe më ka thirr mua. Unë kam shkuar para dy vjetësh me sa mbaj mend është kjo fotografi, në rreth të Prizrenit. As emrin nuk ia kam ditë as atëherë as sot”, ka thënë Selmanaj.

Tutje, deputeti Selmanaj thotë që Kodra të mos i jetë prezantuar mbi punën që bën.
Derisa, mohon të jenë takuar sërish.

“Unë kam shkuar me ngrën darkë. S’kemi fol çka bën. Kurrë asnjëherë, hera e parë dhe e fundit që e kam taku. Tash fotografin kur e pash mu kujtua ky person se nuk e kam pa as diku tjetër e kanë qit si foto, ka mbi dy vjet kjo punë”, tha Selmanaj për Shqip.com.

Lexo edhe:
Dokument(FOTO):Në vitin 2021 u planifikua një atentat me snajper ndaj Albin Kurtit

Theksojmë se në dokumentin e publikuar nga grupi i hakerave “Homel and Justice” që dyshohet të jetë marrë nga emaili i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit në Shqipëri, Gledis Nano, thuhet se paraprakisht ishte paraparë atentati ndaj Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës, pastaj ndaj Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet dhe në fund ndaj Kurtit, me qëllim që atentati të duket hakmarrje. /Shqip.com

Lexo edhe:
Qeveria konfirmon tentim atentatin ndaj Albin Kurtit