Lajme

Siguria kibernetike e faqeve qeveritare, Policia thotë se një u sulmua këtë vit

Ilustrim

Janë jo të rralla rastet kur nuk mund të kemi qasje në web-faqet e institucioneve shtetërore të Kosovës.

“This page isn’t working” është porosia e përcjellur me disa numra që herë pas here ndërrohen sikur ta kishin bërë me radhë e që nuk na lejon të kryejmë shërbime apo të marrim informata nga web-faqet institucioneve publike.

Deri tani, vetëm një rast i tillë është shënuar këtë vit.

Policia e Kosovës i ka thënë Shqip.com se në njërin prej institucioneve publike ka ndodhur një sulm kibernetik i llojit RANSOMWARE.

“Në vitin 2022 ka ndodhur një rast i sulmit kibernetik i llojit RANSOMWARE, cak i sulmit ka qenë një institucion publik”, thuhet në përgjigje.

Më tej shtojnë se sulmet kibernetike në vitet e kaluara kanë qenë të llojit “DDoS”.

“Në vitet e kaluara ka pasur disa raste që janë denoncuar nga zyrtarët që menaxhojnë ueb-faqet dhe platformat online të institucioneve të ndryshme publike, llojet e rasteve apo sulmeve kanë qenë të tipit DDoS”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga PK-ja.

Në mars të këtij viti, qytetarët nuk kanë pas qasje për shërbime në ueb-faqet e Ambasadave dhe Konsullatave të Republikës së Kosovës.

Agjencia “Spinp” e cila është e kontraktuar për mirëmbajtjen e ueb-faqeve në këtë institucion shtetërorë kishte thënë se nuk ka dijeni që ka rënie të sistemit.

“Ueb-faqet e Ambasadave dhe Konsullatave janë të vjetruara, do të thotë versioni i gjuhës programuese është i vjetruar, ka mundësi që ka ndonjë telashe. Nëse ka ndonjë telashe, ne do të ndërhyjmë”, deklaruan nga kjo agjenci.

Lexo edhe:
Ueb-faqet e Ambasadave dhe Konsullatave bien nga sistemi, agjencia e kontraktuar për mirëmbajtjen e tyre thotë që s’di gjë

Theksojmë se të dielen e 17 korrikut, një sulm kibernetik masiv ka sjell si rrjedhojë mbylljen e përkohshme të shërbimeve online në Shqipëri.

Në internet nuk hapeshin faqet e kryeministrisë, të ministrive, e-Albania.

Lexo edhe:
Sulm kibernetik nga jashtë ndaj faqeve qeveritare të Shqipërisë

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi shqiptarët se është e detyruar të bllokojë aksesin e shërbimeve publike për të përballuar goditjet e njëpasnjëshme e të sofistikuara nga jashtë Shqipërisë./Shqip.com