Lajme

Antiterrori procedon ish-deputetin ‘kauboj’, ofroi 5 mijë euro kush hedh një deputet në koshin e plehrave, njëri mashtronte përmes ‘GoFundMe’, arrestohet Elton Xhuraj pasi kërcënoi një biznes se do t’i vinte 3 bomba

Antiterrori dhe Hetimi i Krimit Kibernetik kanë referuar në prokurori 17 persona për nxitje të dhunës, në kuadër të protestave të dhunshme kundër qeverisë. Antiterrori ka proceduar dhe referuar në prokurori edhe ish deputetin Eduart Ndocaj, i njohur si ish deputeti ‘kauboji’, pasi publikoi një videonë rrjetet sociale ku ofron shpërblime financiare deri në 5 mijë euro për këdo që hedh deputetë në koshin e plehrave.

Një prej personave të proceduar është Arjan Koçi, 34 vjeç, i dyshuar se ka bërë thirrje për veprime të dhunshme përmes Instagramit. Sipas policisë, ai dyshohet gjithashtu se ka hapur një llogari në platformën “GoFundMe”, ku kërkonte fonde duke mashtruar qytetarët me pretendimin se i rrezikohej jeta. Gjatë kontrollit, 34-vjeçarit iu gjet edhe një dokument identifikimi si gazetar, të cilin, sipas policisë, e përdorte për t’iu shmangur kufizimeve dhe shoqërimit nga efektivët. Dokumenti u sekuestrua si provë materiale.

Për përhapje të informatave të rreme dhe përhapje paniku, është vënë në pranga shtetasi Elton Xhuraj, pasi dyshohet se ka dërguar një mesazh kërcënues në llogarinë e Facebook-ut të një subjekti privat, për vendosje të bombave në 3 godina të ndryshme të subjektit.

Njoftimi i plotë i policisë

Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen penalisht 17 shtetas si dhe referohen materialet në Prokurori për 8 raste për identifikim të autorëve për thirrje dhe nxitje për veprime të kundërligjshme në kontekst të protestave të dhunshme të 2 javëve të fundit.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e specializuara të Antiterrorit, në bashkëpunim me ato të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe me prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, në lidhje me thirrjet publike të bëra në rrjete sociale, me përmbajtje të kundërligjshme, të dhunshme dhe kërcënuese, në kontekstin e protestave të dhunshme të zhvilluara në Tiranë dhe në disa qarqe, që prej datës 13 tetor 2026:

-u ndalua shtetasi Elton Xhuraj, 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Përhapja e informative të rreme që ngjallin panik”, pasi dyshohet se ka dërguar një mesazh kërcënues në llogarinë e Facebook-ut të një subjekti privat, për vendosje të bombave në 3 godina të ndryshme të subjektit.

•Gjithashtu, u referuan materialet në prokurori për shtetasit:

-Arjan Koçi, 34 vjeç, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, pasi në Instagram, ka bërë thirrje për kryerjen e veprime të dhunshme, gjatë protestave të javëve të fundit.
Gjithashtu, dyshohet se ky shtetas, duke mashtruar qytetarët se i rrezikohej jeta, ka hapur një llogari në “GoFundMe”, për të mbledhur fonde.
Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjet një dokument (bexh) me të cilin prezantohej si gazetar, për t’iu shmangur kufizimeve dhe shoqërimit nga Policia. Dokumenti u sekuestrua me cilësinë e provës materiale;

-Eduard Ndocaj, 51 vjeç, banues në Shëngjin, për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Thirrja për urrejtje nacionale”, pasi ka postuar video në rrjete sociale, nëpërmjet të cilave ka ofruar shuma parash për kryerjen e veprime të dhunshme ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave;

-Gentjan Progni, 37 vjeç, për veprat penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Përndjekja”, pasi ka publikuar në mënyrë të përsëritur, të dhëna personale, fotografi dhe video të punonjësve të Policisë së Shtetit, me komente fyese, denigruese dhe akuzuese. Këto publikime, të realizuara kryesisht në kontekstin e protestave të javëve të fundit dhe që ekspozojnë përpara protestuesve, identitetin e punonjësve të Policisë të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, krijojnë rrezik për jetën e punonjësve të Policisë, për sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre, si dhe nxitin veprime intimidimi, kërcënimi dhe/ose dhune.

Gjithashtu, në llogarinë që administron 37-vjeçari janë evidentuar postime me paralajmërime me karakter kërcënues ndaj institucioneve shtetërore, si dhe thirrje për identifikimin e shtetasve të tjerë, të cilat kanë rritur shqetësimin për pasojat që mund të sjellë shpërndarja e këtyre informacioneve në rrjete sociale;

-Altin Goxhaj, 56 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Nxitja e urrejtjeve dhe e grindjeve”, pasi ka postuar fotografi dhe shkrime nëpërmjet të cilave ka bërë thirrje për veprime të dhunshme gjatë protestave të javëve të fundit;

-A. A., 50 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese” dhe “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, pasi në llogarinë e tij në Facebook, ka postuar një shkrim me përmbajtje antikushtetuese;

-O. M., 20 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese”, pasi gjatë një proteste, ka vendosur në fasadën kryesore të Universitetit Politeknik, një banderolë që përmbante simbol nazist;

-A. L., 39 vjeç, R. R., 28 vjeç, L. Xh., 24 vjeç, E. B., 36 vjeç, O. Rr., 46 vjeç, D. A., 39 vjeçe, E. Q., 22 vjeç, D. K., 26 vjeçe, A. B., 42 vjeç, M. Ç., 18 vjeç dhe Arvina Lleshi, 24 vjeçe, për veprën penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, pasi në llogari të tyre në platforma të ndryshme për komunikim online, nëpërmjet shkrimeve, mesazheve dhe/ose komenteve, kanë bërë thirrje për kryerje të veprimeve të dhunshme gjatë tubimeve të javëve të fundit.

Gjithashtu u referuan materialet në prokurori, për 7 llogari në platforma të ndryshme për komunikim online, për veprën penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, pasi në to, janë publikuar shkrime, mesazhe dhe/ose komente me thirrje për kryerje të veprimeve të dhunshme gjatë protestave të javëve të fundit;

-u referuan materialet në Prokurori, për 1 llogari në rrjetin social “Instagram”, për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Përhapja e informacioneve të rreme që ngjallin panik”, pasi në të, janë postuar thirrje për kryerje të veprimeve të dhunshme gjatë tubimeve të javëve të fundit.

Punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të administratorëve të këtyre llogarive dhe shtetasve të tjerë të lidhur me to. Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme.

©Shqip.com