Lajme

Shqip.com siguron dokumentin e Prokurorisë Speciale lidhur me keqpërdorimet e rezervave shtetërore

Gjykata Themelore në Prishtinë më 19 gusht aprovoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre të dyshuarve për keqpërdorime me rezervat shtetërore, Ridvan Muharremi, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, të cilët u arrestuan gjatë aksionit të policisë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe në një biznes privat.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Shqip.com, ka siguruar dokumentin, ku renditen provat mbi të cilat artikulohet dyshimi i bazuar për kryerjen e veprave penale.

Deri tani prokuroria ka siguruarar “kërkesën për përshpejtimin e procedurave të furnizimit me produkte të rezervës shtetërore, parashtruar përmes adresës elektronike zyrtare nga Hafiz Gara tek Irfan Lipovica, që mban datën 25.02.2022”.

Gjithashtu, nga provat e siguruara është edhe “vendimi nr 01/65, datë 26.02.2022 i Qeverisë së Kosovës për aprovimin e kërkesës së MINT për përjashtimin nga procedurat e prokurimit të furnizimit me produkte të rezervës shtetërore dhe klasifikimin lëndën si “sekret”;

“Vendimi ref.nr.02/Nr.66, datë 03.03.2022 i nxjerrë nga Irfan Lipovica në cilësinë e zv.Sekretarit të Përgjithshëm të MINT, për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizim me produkte të rezervës shtetërore”.

Prokuroria sipas dokumenteve të siguruara nga Shqip.com, ka marrë edhe përgjigjen e Doganës së Kosovës lidhur me Sigurimin e informacioneve për bizneset O.E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi”, me seli në Bursa të Turqisë dhe “Xanto SP” ZO.O In, me seli ne Gdynia të Polonisë.

Nga provat e tjera, janë të përfshira edhe faturat për blerjen e vajit të lulediellit dhe sheqerit nga Xanto SP ZOO dërguar MINT, të datës 15.03.2022.

Provat përfshijnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve buxhetore për blerjen e rezervave shtetërore, kontratën me O.E. “Yafe Turizm Inssat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli ne Bursa të Turqise për blerjen e grurit, në sasi prej 10.000 tonë, me çmim të kontraktuar 4.834.778 Euro.

Gjithashtu, edhe aneks-kontratën me O.E. “Yafe Turzim Inssat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” për transportin e mallit të blerë sipas kontratës së parë.

Më poshtë gjeni dokumentin e detajuar të prokurorisë.

Javë më parë Gazeta Nacionale, ka publikuar një audio-incizim të dy zyrtarëve shtetërorë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të cilët pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas audio-incizimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.

Pas publikimeve të audio-inçizimeve, Policia e Kosovës, ka zhvilluar një aksion në MINT, i cili ka rezultuar me arrestimin e dy zyrtarëve të kësaj ministrie, Hafiz Garën dhe Irfan Lipovicën.

Policia bastisjen e nisi në restorantin Bukë e Zemër në Prishtinë, si dhe shtëpinë e pronarit të këtij biznesi, Ridvan Muharremi, i cili dyshohet të jetë i afërt me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin.

Sipas audio-incizimeve, Muharremi dyshohet se është ndërmjetësues i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe firmës nga Polonia.

Ministrja, Rozeta Hajdari, në një konferencë për media, tha se nuk ka dyshime te zyrtarët e ndaluar, si dhe shtoi se nuk sheh asnjë arsye që të japë dorëheqje, e cila u kërkua nga opozita.

Ndërkaq, kryeministri Kurti, lidhur me ngjarjen tha se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, tha Kurti ditë më parë.

Kurti shtoi se rezervat shtetërore ishin 300.000 euro kur ai mori mandatin dy vjet më parë dhe tani, sipas tij, janë 25 milionë euro.

/Shqip.com