Lajme

Shpallet konkurs për Kryeprokuror të Shtetit, Lumezit i përfundon mandati edhe 3 muaj

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e mbajtur këtë të mërkurë ka marrë vendim për të shpallur konkurs për emërimin e Kryprokurorit të Shtetit.

Kjo pasi Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati më 21 prill 2022.

Konkursi për këtë pozitë do të jetë i hapur 15 ditë pas shpalljes së tij, duke filluar nga data 17 janar.

KPK në këtë takim ka themeluar edhe Panelin Vlerësues për poentimin e kandidatëve që aplikojnë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Anëtarë të këtij paneli, përveç kryesuesit të Këshillit, Jetish Maloku, përmes shortit u përzgjodhën anëtarët e KPK-së Ariana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq. Ky panel do të kryesohet nga kryesuesi i KPK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, anëtarë të Komisionit për Rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve ndaj procesit të poentimit, pas tërheqjes së shortit u përzgjodhën anëtarët e KPK-së, Veton Shabani, Ardian Hajdaraj dhe Agron Beka.

Lumezi mandatin e tij në këtë pozitë e kishte filluar më 21 prill 2015, pas dekretimit të tij nga ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, për një mandat shtatëvjeçar, pa mundësi riemërimi.

Konkursi për këtë pozitë, sipas Rregullores Nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, duhet të shpallet nga KPK 90 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorit aktual të Shtetit.

Konform Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, mandati i Kryeprokurorit të ri të Shtetit do të jetë shtatëvjeçar, pa mundësi riemërimi. 

Aleksandër Lumezi ishte i involvuar në skandalin e publikuar nga Gazeta Online Shqip.com, ku disa zyrtarë të drejtësisë tentonin të ndërhynin në një rast.

Vetë Lumezi e ka pranuar publikisht se ka biseduar me një person në telefon në kanale jo zyrtare dhe se është i përfshirë në këtë skandal.

Megjithatë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, e ka parë të paarsyeshme që të merren masa disiplinore ndaj tij.

Sipas KPK-së, Lumezi lakohet nga të tjerët, por nuk është vetë i përfshirë, paçka se përfshirja dokumentohet në publikimet e Shqip.com dhe gjithashtu Lumezi vetë e pati pranuar bisedën.

Por, Jetish Maloku, Kryesuesi i KPK-së, në konferencën e mbajtur më 30 dhjetor 2021, ka deklaruar se “nuk ka masa disiplinore ndaj tij”.

Madje, Maloku ka shtuar edhe se “nuk mund të ketë”, duke i paraprirë kështu ndonjë vendimi eventual të Prokurorisë Speciale, e cila ende vazhdon hetimet për këtë rast.

“Nuk ka (masa disiplinore ndaj Lumezit) edhe s’ka mundur të ketë”, thotë ai, duke dhënë argumentin se “aty përmenden shumë emra tjerë, por s’ka qenë pjese e asaj që thuhet aty, s’kemi pas arsye”.

Por, përkundër këtyre përfundimeve të KPK-së dhe deklarimit të Malokut se s’ka përfshirje direkte të Lumezit, nga një hulumtim që po përgatit Shqip.com, të dhënat tregojnë se e vërteta mund të jetë ndryshe nga konkludimet e KPK-së.

Informacionet janë se përfshirja e Lumezit ishte e drejtpërdrejtë dhe se nuk ka ekzistuar vetëm një komunikim mes tij dhe një personi të tretë që tentonte zgjidhjen e rastit të tij.

Ndryshe nga Lumezi që nuk është prekur fare, pas publikimit të audio-incizimeve nga Shqip.com, është shkarkuar drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu dhe ka dhënë dorëheqje gjyqtari i krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit, Driton Muhararemi, pasi fillimisht u detyra të japë dorëheqje nga pozita e anëtarit të KGJK-së dhe më pas u degradua nga gjyqtar i krimeve të rënda në Apel në gjyqtar për kundërvajtje në Themelore.

Klikoni në rubrikën N’shënjestër, për të shikuar të gjitha publikimet në Dosjen “Inteligjenca e Zhvatjes” në mënyrë kronologjike./Shqip.com