OP-ED Editoriale

Shkëlqimi dhe rënia e Evi Kokalarit!

Titulli i këtyre rreshtave mund të ngjasojë me romanin e Dritëro Agollit, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Por situatat dhe personazhet janë në një tjetër kontekst, megjithëse tragjikomizmin e personazhit kryesor e kanë të përbashkët.
Shqip.com
Shqip.com

Publikuar:

Erdhi në politikën shqiptare si yll në ngjitje dy vite më parë. U pa si frymë dhe filozofi ndryshe, tipike konservatore, përfaqësuese e Partisë Republikane në SHBA e njëkohësisht bashkëpunëtore e ekipit të ish-presidentit Donald Trump. Doli në krah të ish-kryeministrit Sali Berisha kur nisi foltoret me demokratët, lëvizje që erdhi si imponim ndaj vendimit personal të Lulzim Bashës, për ta përjashtuar atë nga grupi parlamentar demokrat. E tha vetë, me zë të lartë, se Shqipëria kishte marrë goditje të rëndë nga dy njerëz, njëri në pushtet, Edi Rama dhe tjetri në opozitë, Lulzim Basha. Madje, për Lulzim Bashën akuzat e saj ishin ndër më të ashpërat.

Evi Kokalari dukej sikur përfaqësonte të vërtetën! Atë të vërtetë të cilën politika shqiptare e kishte atrofizuar në ekstrem dhe kush e kush investohej me teza dhe teori që kishin për qëllim manipulimin e opinionit publik. Propaganda është një nga mjetet kryesore të sundimit në qeverisjet autoritare, mirëpo në sistemin shqiptar kinse demokraci dhe pluralitet, është po aq jetike për jetëgjatësinë në pushtet. Këtë e kemi të dëshmuar tashmë dhe janë jo një, por disa qeveri në Shqipëri që kanë qeverisur dhe qeverisin me propagandë, deformim dhe manipulim të masave.

Zhvillimet politike në Shqipëri përgjatë këtyre dy viteve janë dominuar nga një konflikt absurd brenda opozitës, nga një përçarje e pazakontë e Partisë Demokratike, tashmë e ndarë në dy pjesë. Zgjedhjet vendore të 14 Majit konfirmuan se kriza e opozitës i shërben si oksigjen pushtetit. 55 bashki, nga 61 në total, u fituan nga socialistët. Vetëm 5 kryebashkiakë janë të opozitës dhe 1 i përket minoritetit grek në skajin më jugor të vendit, në Finiq. Dhe kur e mendon që zgjedhjet politike janë hiç më pak se 18 muaj larg, dukshëm pritshmëri për surpriza nuk ka. Megjithatë, vota është vullnet i çdo qytetari me të drejtë vote dhe si e tillë asnjëherë nuk i dihet.

Por le të ndalemi edhe njëherë te aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari dhe pse ajo u transformuar brenda një kohe të shkurtër. Ithtarëve të politikës dhe ndjekësve pasionantë të saj, mund t’i kujtohet fare lehtë se znj.Kokalari ishte pjesë e komisionit që Rithemeloi Partinë Demokratike, madje-madje, krahu i djathtë i Sali Berishës. Për Evi Kokalarin, Lulzim Basha e kishte shitur Partinë Demokratike dhe opozitën te Edi Rama. Në disa dalje publike, shqip, shkoqur dhe prerë, Kokalari atakoi drejtpërdrejt Lulzim Bashën edhe si gjobëvënës. Mirëpo, krejt papritur, vjen një moment kur Kokalari u “zhduk” nga skena politike shqiptare. Dhe nuk vonoi nisja e sulmeve brenda vetë radhëve të foltores ku ajo kishte milituar për disa muaj me radhë. Fillimisht sulmoi Grida Dumën, pastaj Ervin Salianjin. Dhe pas këtyre të dyve, ishte radha e Belind Këlliçit që të vihej në shënjestrën e saj. Po ashtu, Kokalari shprehu zhgënjim me disa zgjedhje të kryetarit të PD, Sali Berisha dhe e akuzoi këtë të fundit se po shkelte parimet e konservatorizmit.

Dhe pikërisht, për hir të konservatorizmit që Kokalari përfaqëson, aktivistja shpalli ambicien për të krijuar një lëvizje politike në Shqipëri. Javët e fundit pamë se si Kokalari nuk arriti të zhvillojë as dy takime të vetme publike me mbështetës. Ndërsa prej disa ditësh e shohim atë në ekranet televizive vendase teksa flet si politikane dhe kryetare partie, e një partie që nuk e dimë ende nëse është e regjistruar me vendim gjykate. Jo më larg se mbrëmjen e kaluar në një studio televizive, Evi Kokalari deklaroi se ishte takuar me Lulzim Bashën dhe priste të kandidonte me logon e PD-së që ai mban. Pra, shohim që Kokalari i është nënshtruar metamorfozës. Nga Lulzim Basha i shitur te Edi Rama dhe gjobaxhi, mbërritëm te Lulzim Basha “flamurtar” i demokracisë dhe partner koalicioni me Evi Kokalarin. Ajo që kuptohet nga e gjithë kjo është se edhe Evi Kokalari është “infektuar” nga sëmundja e politikës shqiptare që nuk njeh parime dhe moral.

Në pamundësi për të përballuar debatin me dy gazetarë të “regjur” si Ylli Rakipi dhe Neritan Sejamini, Evi Kokalari braktisi studion dhe lëshoi drejt tyre, në transmetim live, një përrua me sharje dhe ofendime. Kjo sjellje nuk është aspak konservatorizëm. Nuk është as mbrojtje parimesh dhe as e moralshme. Mosmbajtja e nervave dhe dalja nga kontrolli në vetëm pak minuta pasi u ndesh me ato që kishte deklaruar 2 vite më parë për Lulzim Bashën, tregon në thelb sa të vërtetë tentojnë të jenë personazhe të ngjashme me zonjën, në një kohë kur në fakt nuk meritojnë as minimumin e vëmendjes që marrin sot nga mediat e Tiranës.

Evi Kokalari shkëlqeu në fillim kur i rriti pritshmëritë vetes, por ky shkëlqim nuk është më. Sot kemi të bëjmë me një Evi Kokalari që metamorfoza e ktheu “në yll në shuarje”!

/Shqip.com