Lajme

Thirrjet për djegien e selisë së PD, AMA gjobit televizionin për nxitje të dhunës

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka gjobitur një televizion, pasi gjatë një debati televiziv është transmetuar një deklaratë që bënte thirrje për djegien e selisë së Partisë Demokratike, SHQUP-it. Rasti lidhet me diskutimin për thyerjen e selisë së PD-së në Shkodër nga studentët, ku një prej të pranishmëve është shprehur: “Mirë ia kanë bërë, flakën t’ia vënë dhe asaj. T’ia vënë dhe SHQUP-it këtu njëherë”.

Deklarata e shfaqur në ekranin televiziv është bërë publike në faqen e Instagramit të kryetares së AMA-s, përmes një videoje të animuar. Në këto materiale nuk identifikohet televizioni, por evidentohet vetëm shkelja e kryer.

Vendimi për gjobitjen e televizioneve për nxitje të dhunës ka shkaktuar reagime të ndryshme ditët e fundit, ndërsa nuk kanë munguar akuzat se masat marra nga AMA mund të cenojnë lirinë e fjalës.

Ndërkaq në videot e publikuara në faqen e kryetares, Autoriteti i referohet ligjit nr. 97/2013, i ndryshuar, i cili ndalon transmetimet që justifikojnë dhunën dhe detyron mediat të respektojnë etikën dhe të mos transmetojnë programe që mund të nxisin vepra penale.

/Shqip.com