Lajme Botë

SHBA-ja sanksionon edhe gjashtë zyrtarë nga vende të ndryshme

Departamenti i Thesarit të SHBA-së.

Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë të ditur se ka vendosur sanksione edhe ndaj disa personave dhe grupeve korruptive në Evropë, Afrikë dhe Amerikë Qendrore, transmeton Shqip.com.

Përmes njoftimit, Departamenti ka treguar se është sanksionuar Martha Carolian Refcinos De Bernal, e cila thuhet se udhëhiqte një skemë të korrupsionit që lidhej me prokurime të dyshimta për ndërtimin e një spitali në El Salvador.

Në listën e sanksioneve është edhe Manuel Victor Martinez Olivet nga Guatemala, pasi që në marsin e vitit 2021 është akuzuar për përfshirje në veprime të ndryshme të përvetësimit, mashtrimit dhe keqpërdorimit të autoritetit gjatë kohës sa ishte drejtor i Zonës Shëndetësore Santa Rosa.

Lexo edhe:
Vela: Grupeve kriminale që u janë vendosur sanksione nga SHBA kanë bashkëpunim me akterë në Kosovë

Ndërkaq, edhe anëtari i Senatit të Liberisë, Prince Yormie Johnson është sanksionuar, pasi që ky i fundit ka qenë komandant gjatë luftës së parë civile në shtetin afrikan dhe përmendet në “Raportin e së Vërtetës dhe Pajtimit të Liberisë” për kryerje të mizorive gjatë konfliktit.

Andriy Portnoj, ish-nënkryetar i Administratës Presidenciale të Ukrainës është i sanksionuari tjetër. Ky i fundit po akuzohet se kishte lidhje të gjera me sistemin e gjyqësorit dhe aparatin shtetëror për sundim të ligjit përmes ryshfetit.

Ai akuzohet edhe për përdorimin e ndikimit të tij për të pasur qasje në vendime të gjykatave ukrainase dhe për minim të përpjekjeve për reforma.

Lexo edhe:
Lista Serbe: Sanksionet nga SHBA të pabaza, të bëra vetëm për dobësimin e serbëve në Kosovë

Po ashtu, në listën e sanksioneve janë edhe dy ish-zyrtarë të Qeverisë së Angolës, Fragoso do Nascimento dhe Manuel Helder Veira Dias Junior, të cilët akuzohen për vjedhje të miliarda dollarëve.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mërkurën kanë ndërmarrë sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviq – njërit nga bosët e krimit të organizuar në veri të Kosovës.

Këto sanksione u ndërmorën pasi Departamenti Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë dhe 24 subjekte në disa shtete të Evropës, ndër të cilët bëri pjesë edhe Veselinoviq.

Sipas njoftimit të zyrës për media të këtij departamenti, grupi i Veselinoviqit është përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë edhe Rosiq, Andrija Zhelko Bojiq, Srgjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Milan Radisavljeviq, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq./SHQIP.com