Lajme Ballkan

Vela: Grupeve kriminale që u janë vendosur sanksione nga SHBA kanë bashkëpunim me akterë në Kosovë

Blerim Vela dhe Vjosa Osmani.

Blerim Vela, shefi i Kabinetit të Presidentes, Vjosa Osmani, tha se grupet kriminale të cilave u janë vendosur sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë bashkëpunim edhe me akterë tjerë në Kosovë, përcjell Shqip.com.

Sipas tij, vendosja e sanksioneve ndaj Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq dhe anëtarë të bandës së tyre kriminale, është sinjal për rajonin se krimi dhe korrupsioni në Ballkan, cenon sigurinë e Shtetebe të Bashkuara të Amerikës.

Lexo edhe:
Lista Serbe: Sanksionet nga SHBA të pabaza, të bëra vetëm për dobësimin e serbëve në Kosovë

Tutje, ai thotë se Veselinoviq ishte organizatori kryesor i Serbisë për vendosje të barrikadave në Veri të Kosovës.

“Fatkeqësia është se këto grupe kriminale nuk funksionojnë si të vetme por kanë bashkëpunim edhe me akterë tjerë brenda Kosovës shqiptarë dhe serb…Këto janë dëshmi të mjaftueshme që këto grupe të trajtohen nga institucionet tona e jo atyre t’iu hiqen fletë arrestet”, deklaroi tutje Vela në RTV Dukagjini.

Po ashtu, ai kritikoi edhe disa politikanë të cilët kanë pritur në Zyrën e Kryeministrit personat që u sanksionuan nga SHBA.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mërkurën kanë ndërmarrë sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviq – njërit nga bosët e krimit të organizuar në veri të Kosovës.

Këto sanksione u ndërmorën pasi Departamenti Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë dhe 24 subjekte në disa shtete të Evropës, ndër të cilët bëri pjesë edhe Veselinoviq.

Sipas njoftimit të zyrës për media të këtij departamenti, grupi i Veselinoviqit është përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë edhe Rosiq, Andrija Zhelko Bojiq, Srgjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Milan Radisavljeviq, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq./SHQIP.com