Lajme Ballkan

Lista Serbe: Sanksionet nga SHBA të pabaza, të bëra vetëm për dobësimin e serbëve në Kosovë

Lista Serbe

Lista Serbe i ka quajtuar “akuza të pabazuara për të dobësuar unitetin dhe mbrojtjen e serbëve në Kosovë”, vendosjen e sanksioneve ndaj nënkryetarit të kësaj partie, Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq e anëtarëve të bandës së tyre kriminale, transmeton Shqip.com.

Përmes një reagimi zyrtar, Lista Serbe ka deklaruar se reagimet e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës për sanksionet e vendosura janë justifikime për aksionet e policisë në veri.

“Akuzat e pabazuara për anëtarët e Listës Serbe dhe serbëve nga veriu i Kosovës janë një kampanjë e koordinuar për të dobësuar unitetin dhe mbrojtjen e njerëzve tanë në këto zona.

Gjithashtu, qëllimi i dukshëm i aksioneve të përbashkëta propagandistike paushall, që shihet edhe në reagimin e Albin Kurtit, është që të justifikohen sulmet e fundit ndaj popullit duarthatë serb dhe derdhja e gjakut serb duke plagosur Srecko Sofronijeviqin gjatë dhunës brutale të aksionit të policisë së Kosovës, si dhe alibitë për veprime të mundshme të reja të njëanshme të Prishtinës në veri të Kosovës”, thuhet ndër tjerash në reagim.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mërkurën kanë ndërmarrë sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviq – njërit nga bosët e krimit të organizuar në veri të Kosovës.

Këto sanksione u ndërmorën pasi Departamenti Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë dhe 24 subjekte në disa shtete të Evropës, ndër të cilët bëri pjesë edhe Veselinoviq.

Lexo edhe:
Kurti: Shumë i mirëseardhur vendimi i SHBA-së për sanksionimin e grupeve kriminale në veri

Sipas njoftimit të zyrës për media të këtij departamenti, grupi i Veselinoviqit është përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë edhe Rosiq, Andrija Zhelko Bojiq, Srgjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Milan Radisavljeviq, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq./SHQIP.com