Lajme

Shala i drejtohet Kurtit: Na thuaj dallimin në mes marrëveshjes së re dhe të vjetër për energjinë

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, në seancën e Kuvendit ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të informojë në hollësi se çfarë marrëveshje është nënshkruar dje mes Kosovës dhe Serbisë në fushën e energjisë.

Shala ka pyetur Kurtin se a e cenon sovranitetin e Kosovës kjo marrëveshje.

Po ashtu, Shala pyeti se çka dallon kjo marrëveshje nga marrëveshja e vitit 2013 e cila ishte bërë për energjinë elektrike për komunat në veri.

“Do të ishte mirë që sot kryeministri Kurti sot të dilte këtu dhe të tregonte se a ishte marrëveshje e re apo marrëveshje e vjetër. Cila është e vërteta e juaj që keni folur me vite, a është kjo marrëveshje që e cenon sovranitetin e Kosovës, nëse është marrëveshje e re çka dallon nga e vjetra të cilën e ke sha dhe e ke fy. Na thuaj dallimin mes të vjetrës dhe të rejës. Ajo marrëveshje që na keni servuar a do të ketë implikime në pjesën tjetër të territorit të Kosovës”, ka thënë Shala.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Tutje, Shala ka thënë se nëse marrëveshja është e njëjta, atëherë Kurti duhet të kërkojë falje për situatat të cilat i ka krijuar në të kaluarën në Kuvend në lidhje me këtë çështje.

“Kryeministri do të duhej të kërkonte falje për këtë katrahurë 10 vjeçare që i është bërë këtij institucioni në emër të tradhtisë në sektorin energjetik. Pra unë kërkoj sot të kemi informatë të hollësishme kush dhe çka negocioi”.

Lexo edhe:
Arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për energji elektrike

Marrëveshja për energjinë ishte arritur qysh më 2013, por nuk ishte zbatuar deri më tash. Bëhet fjalë për energjinë që shpenzojnë serbët në veri e nuk e paguajnë.

Kjo marrëveshje mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullator të Kosovës./Shqip.com