Kulturë

Sfidat e shtëpive botuese

Në Kosovë nuk ka ende shtëpi botuese që funksionon si rëndomë shtëpitë botuese në botë. Autorët ende vazhdojnë të kërkojnë ndihmë financiare për realizim të botimit, të shpërndarjes së librit, marketingut etj., gjë që nuk ua garantojnë shtëpitë botuese.

Mungesa financiare, mungesa e një rrjeti të shpërndarjes së librit, marketingu i munguar për librin, numri i pakët i librarive, pirateria, mosfunksionimi i trekëndëshit: botues, librari, blerës, ulja e fuqisë blerëse, kriza e leximit etj., janë vetëm disa nga sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet, njëherazi karakterizohet veprimtaria botuese në vend.

Qarkullimi i librave mes Kosovës dhe Shqipërisë është rënduar prej vitit 2020 kur, padrejtësisht, botimeve që vijnë nga jashtë Shqipëria u vendos taksë 6 për qind.

“Kjo gjë ka ndikuar jo pak te botuesit e Kosovës, të cilët mezi çojnë libra në Shqipëri, edhe ashtu. Mungon sistemi i qarkullimit, si në Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri”, ka thënë për Shqip.com, Edon Zeneli, Kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Edon Zeneli


Megjithatë, sipas tij, vërehet që ka një konkurrencë mes librarive në Kosovë gjë që ka prodhuar një realitet më dinamik në qarkullimin e librave. “Është pozitive kjo gjë. Pastaj, avash-avash do të krijohen edhe mekanizma që lehtësojnë qarkullimin, afërmendsh”, ka thënë tutje Zeneli.

Poetja e njohur Brikenë Ceraja-Beka, njëherësh udhëheqëse e shtëpisë botuese “Jakup Ceraja”, për Shqip.com ka thënë se, shpërndarja e librit është mjaft e vështirë, pasi që nuk ka një institucion apo një organizëm që merret ekskluzivisht me shpërndarjen e librit, prandaj u mbetet shtëpive botuese të merren me këtë.

Brikenë Ceraja-Beka


“Një botuesi i duhet ta dërgojë vetë librin e ri që e boton nëpër librari dhe kjo është pak e mundimshme dhe për këtë arsye libri shpërndahet kryesisht nëpër libraritë e Prishtinës. Duhet përmendur edhe faktin se në shumë qytete nuk ka fare librari. Po ashtu edhe përqindja që marrin libraritë është pak e lartë dhe kjo ndikon në rritjen e çmimit të librit”, shprehet e pakënaqur Ceraja-Beka

Ndryshe mendon profesori universitar, Sejdi Gashi, njëherësh studiues i njohur, i cili për Shqip.com ka thënë se, sa u përket shtëpive botuese, nuk kanë vështirësi të theksuara në shpërndarjen e librit, sepse ato tashmë kanë një traditë të mirë në këtë aspekt.

Sejdi Gashi


“Në kohët tona, sikundër dihet falë zhvillimeve teknike e teknologjike, komunikimi është lehtësuar tej mase dhe është intensiv e më cilësor. Prandaj, marrë parasysh, si dhe përparimet që janë bërë edhe në rrafshin infrastrukturor (transportit dhe komunikacionit), si brenda hapësirave shqiptare, ashtu edhe më gjerë, kanë ndikuar që shpërndarja e librit tani të jetë proces më i lehtë, më i shpejtë dhe më efektiv”, vijoi tutje Gashi.

Institucionet si; Ministria e Kulturës apo Kuvendet Komunale, kishin premtuar përkrahje për librin dhe shkrimtarët e rinj, por realiteti është ndryshe. Kjo përkrahje, sipas Ceraja-Beka është shumë e vogël dhe nganjëherë nuk e mbulon as 30 për qind të shpenzimeve që bëhen për ta botuar një libër.

“Pjesa më e madhe e botimeve të shtëpisë botuese “Jakup Ceraja”, janë përkthime të autorëve të njohur ndërkombëtarë dhe për ta bërë këtë shpenzimet janë më të mëdha sesa kur boton një autor vendor, pasi që duhet të paguash të drejtën e autorit, pastaj përkthimin, redaktimin, lekturimin, faqosjen, ballinën dhe në fund shtypin”, ka thënë Ceraja-Beka.

Kosova e Shqipëria as nuk krahasohen me vendet fqinje për nga përkujdesja institucionale, ka thënë për Shqip.com Edon Zeneli. “Ndoshta edhe ne nuk kemi qenë mjaftueshëm të zëshëm e bindës në këtë pikë. Ndoshta edhe politikanët kishin shqetësime të tjera dhe nuk u binte më mend libri. Por, ka ardhur koha që kjo të ndryshojë. Vitet në horizont duken premtuese… të shohim!”, ka thënë mes tjerash Zeneli.

Të njëjtin mendim, në këtë aspekt, e ndanë edhe profesori Sejdi Gashi. Madje sipas tij, procesi i mbështetjes financiare për librin, ka pasur karakter klanor e besa edhe fisnor e partiak.

“Mendoj se institucionet tona nuk po bëjnë aq sa duhet në aspektin e përkrahjes së librit, përkatësisht të autorëve, shtëpive botuese e kështu më radhë. Edhe në raste kur ka pasur apo ka përkrahje, ajo nuk është kanalizuar drejt e mbarë dhe, herë-herë procesi i mbështetjes financiare për librin ka pasur karakter klanor e besa edhe fisnor e partiak”, shprehet Gashi për Shqip.com.

Tutje, Gashi thotë se libri është dhe duhet të jetë pasuri e të gjithë neve, pasi është vlerë universale.

“Prandaj, duke qenë kështu, në procesin e përkrahjes apo mbështetjes financiare për librin, institucionet tona, bie fjala MKRS apo edhe MAShTI, duhet t’i marrin parasysh vlerat e gjithanshme të librit e jo të lidhen me emra e mbiemra konkret, siç ka ngjarë mjaft shpesh deri më tani. Uroj që qasja e institucioneve tona në raport me librin të ndryshojë në kuptimin pozitiv. Sa më herët aq më mirë, aq me më pak pasoja, sepse disa nga to tashmë janë prodhuar”, ka thënë mes tjerash studiuesi Gashi.

Ndërkohë, Ministria e Kulturës për mbështetjen financiare për botuesit dhe autorët, i referohet Ligjit për Veprimtari Botuese.

“Ministria e Kulturës, përmes konkursit publik të librit, përkrah çdo vit shtëpitë botuese sipas Ligjit për Veprimtari Botuese Nr.02-L /51. Sivjet për botuesit  dhe autorët janë ndarë 160.000 euro”, ka thënë për Shqip.com Liri Cami, Udhëheqëse e Divizionit të Librit dhe Bibliotekës në MKRS.

Ajo ka deklaruar se MKRS-ja këtë vit ka përkrahur Panairet e Librit 2022 në Frankfurt, Prishtinë dhe Tiranë, në shumën 25,000.00 euro.

/Shqip.com