Sfida e të qenurit basketbolliste në Kosovë

Nga basketbolli nuk është ndarë, ani se të ardhura financiare nuk merr nga ky sport.
Krahas palestrave të zbrazura – ajo dhe koleget e saj përballen me një det problemesh.
Basketbollistja e Vëllaznimit, Aroma Sylhasi, për Shqip.com ka treguar se vështirësitë i has çdo ditë – teksa shkel mbi parket.
“Në klubin tonë nuk ka të ardhura nga ky sport, pasi ne luajmë pa pagesë – për të mirën e qytetit dhe ekipit. Duke i parë rrethanat është e pamundur që të sigurohet një pagë për lojtaret, si shkak i mungesës së sponsorëve dhe të hyrave të tjera”, tregoi fillimisht ajo.
Trofe të njëjtë, shpërblime të ndryshme

Por e njëjta nuk qëndron për të dyja gjinitë.
“Ndërsa, për gjininë e kundërt, numri i sponsorëve është shumë më i madh e gjithashtu edhe të ardhurat e lojtareve njëkohësisht” tregon Sylhasi.
Shqip.com, ka kontaktuar me Sekretaren e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, e cila ka treguar ndër tjera, për të ardhurat që arkëtojnë ekipet e Superligës – në të dyja konkurrencat.
“Shpërblime ka vetëm për Superligën e femrave dhe meshkujve, jo për Kupë dhe Superkupë. Në Superligën e meshkujve, vendi i parë merr 12-të mijë euro, kurse te konkurenca e femrave, vendi i parë merr gjashtë mijë euro. Vendi i dytë të meshkujt shpërblehet me gjashtë mijë euro, kurse te femrat me tre mijë mijë euro”, u përgjigj Dushku.

Ajo po ashtu shtoi se shpërblime ka edhe për vendin e tretë dhe të katërt – nga tre mijë euro te meshkujt, kurse nga një mijë euro te femrat.
Basketbollistja nga Gjakova po ashtu tregon se i mungon përkrahja komunale dhe shuma që ju ndajnë nuk është e mjaftueshme as për mbulimin e shpenzimeve të klubit.
“Nuk mund të them se e kemi përkrahjen e duhur nga institucionet komunale, sepse klubit tonë i ndahet një shumë e vogël e të ardhurave – si edhe klubeve të tjera, me anë të të cilave nuk mund të mbulohen as shpenzimet e udhëtimeve dhe nevojave tjera.
Përveç premtimeve, të cilat janë të zakonshme, nuk realizohet mbajtja e tyre nga institucionet përkatëse”, potencoi ajo.
“Investimet e vogla komunale” – palestra pa ngrohje
Sikur të mos mjaftonin këto probleme, Aroma thotë që gjatë stinës së dimrit – nuk ka ngrohje në palestër .
“Në palestrën tonë janë bërë disa renovime viteve të fundit, mirëpo shqetësuese është mungesa e ngrohjes në sallë gjatë stinës së dimrit – ku edhe në temperaturat ekstreme stërvitim pa ngrohje. Gjë që shpien edhe në lëndimin e shumë lojtareve dhe në ftohje”, u shpreh Sylhasi.
Teksa, Sekretarja e FBK-së tregon që palestrat janë në menaxhim të komunës dhe jo të Federatës.
“Federata e Basketbollit te Kosovës nuk i ka palestrat ne menaxhim, janë komunat qe i kane palestrat në menaxhim, dhe është Ministria e Sportit së bashku me komunat që jane përgjegjëse per infrastrukturën sportive në vendin tonë”, potencoi Dushku.
Megjithëse – Federata e Basketbollit të Kosovës ka filluar qysh nga viti i kaluar me implementimin e objektivave për planin katër vjeçar – ndryshimet nuk kanë qenë të mëdha.
“Një nga pesë objektivat e Federatës se Basketbollit të Kosovës në Planin Strategjik 2021-2025 është “Femrat në Basketboll” që do të thotë se prioritet i yni është zhvillimi në këto fusha: në rritjen e interesimit të vajzave për të praktikuar basketbollin dhe për të qëndruar në basketboll, rritjen e numrit te trajnereve femrave, refereve femra, anëtareve të bordeve, rritjen e numrit te administratoreve femra nëpër klube si të femrave ashtu edhe të meshkujve”, potencoi ajo.
Për fund, Aroma Sylhasi bëri thirrje bizneseve që duhet investuar në konkurrencën e femrave – pasi në të ardhmen shumë basketbolliste mund të luajnë në nivelet më të larta të këtij sporti.
Superliga e Kosovës- ka gjithsej gjashtë skuadra, teksa kampione aktuale është Penza. /Shqip.com
